Spanjë e Marok, arrestohen 14 sekserë xhihadistësh. Akuzohen për rekrutime

25/08/2015 00:00

Në Spanjë e Marok janë arrestuar 14 vetë, në kuadër të një operacioni të përbashkët, shënjestra e të cilit ishin personat e dyshuar si rekrutues për Shtetin Islamik.

Ndalimet u kryen në periferitë e Madridit dhe në disa qytete marokene. Personat që kanë përfunduar në pranga, besohet të jenë pjesë e një rrjeti të mirorganizuar, që dërgon luftëtarë në zonat e Sirisë dhe Irakut, ku ISIS ka vendosur sundimin e tij.

Një maroken ishte edhe personi që sulmoi trenin e shpejtësisë së lartë të linjës Amsterdam-Paris. Përpara se të shpërngulej në Francë, ai kishte jetuar në Spanjë për 7 vite. Ayoub El-Khazzani, 25-vjeçar, pretendon se kishte dashur të grabiste pasagjerët, por zyrtarët francezë kanë tjetër mendim.

Ata dyshojnë se i riu nga Maroku ka pasur kontakte me ekstremistë islamikë, e për këtë arsye, autoritetet spanjolle e kishin vendosur emrin e tij në listën e personave “potencialisht të rrezikshëm”.

Homologëve francezë ua kishin bërë me dije një gjë të tillë që shkurtin e 2014-s. Burime të antiterrorizmit spanjoll janë cituar nga radioja “Cadena Ser” të pohojnë se, në Europë ndodhen rreth 800 vetë me profil radikal islamik, të kthyer nga Siria dhe Iraku e të gatshëm për të sulmuar.

Ministria e Brendshme në Spanjë njoftoi se, operacioni për kapjen e të dyshuarve të tjerë vazhdon, por nuk dha detaje më të hollësishme.

Top Channel