Inflacioni godet ekonominë ruse. Njerëzit ankohen: Jetojmë më keq

25/08/2015 00:00

Trazirat në tregjet ndërkombëtare të aksioneve, e sidomos rënia e çmimit të naftës, patën ndikim të menjëhershëm te rubla ruse.

Zhvlerësimi i saj ishte i konsiderueshëm dhe më e keqja ende nuk ka kaluar. Autoritetet paralajmërojnë për rënie të mëtejshme, nëse kuotimi i “arit të zi” do të vazhdojë të bjerë.

Fitimet nga nafta përfaqësojnë pjesën dërrmuese të të ardhurave buxhetore ruse, çka i detyrohet pjesërisht sanksioneve të vendosura nga Perëndimi, prej rolit të Moskës në krizën ukrainase.

Embargoja ua vështirëson së tepërmi marrjen e kredive jashtë vendit kompanive ruse. Efektet negative të kësaj situate brenda kufijve po ndihen sot, më shumë se kurrë dhe një nga shqetësimet kryesore është se mos problemet e rublës shndërrohen në revolta sociale.

“Sigurisht që nuk na pëlqen kjo situatë. Njerëzit jetojnë më keq se më parë dhe nuk e dimë çfarë do të sjellë e nesërmja”, tha Elena, banore e Moskës.

“Gjendja është bërë e vështirë e kjo mund të çojë në shumë gjëra, përfshirë këtu trazirat. Nuk do të doja të shikoja përplasje e incidente të mëdha, por njerëzit janë shumë të pakënaqur e nuk dihet çfarë mund të ndodhë”, tha Svetllana, banore e Moskës.

Rënia e rublës ka goditur edhe sektorin e turizmit. Numri i rusëve, që dolën jashtë vendit për pushime, këtë vit ra me 40%, si pasojë e rritjes së kostos së jetesës, që i detyron të shpenzojnë më shumë për artikujt bazë.

“Mua personalisht m’i ka dëmtuar pushimet. Tani e kam më të vështirë të shkoj me pushime, sesa 6 muaj më pare”, tha Nikolai, banor i Moskës.

Inflacioni në Rusi pritet të shkojë këtë vit në mbi 20%, nivel ky i paregjistruar ndonjëherë më parë gjatë udhëheqjes së Vladimir Putinit, i cili erdhi në pushtet në vitin 2000 dhe e ka trumpetuar me të madhe stabilitetin ekonomik të vendit.

Por, pavarësisht problemeve me të cilat përballet Rusia, mbështetja për Putinin që prej aneksimit të Krimese, vitin e kaluar, vazhdon të mbetet e lartë.

Top Channel