Janullatos takon krerët grekë për minoritetin e kishën. Fton Tsiprasin në Shqipëri

25/08/2015 00:00

Kryepeshkopi i Shqipërisë Anastas është takuar mesditën e së martës me dy udhëheqësit më të lartë të shtetit grek në Athinë.

Sipas agjencisë shtetërore greke,“AMNA”, Kryeministri Tsipras që thuhet se ka një marrëdhënie tepër të veçantë me kreun e Kishës Autoqefale të Shqipërisë ka theksuar gjatë fjalëve të para të mikpritjes, se Athina zyrtare  ndjek nga afër dhe me shumë interes veprën e kësaj Kishe për besimtarët e saj dhe për popullin shqiptar.

“Është një vepër”, ka thënë Tsipras, që përveç përpjekjeve për rindërtimin e kishave në Shqipëri prej vititi 1991, përfshin edhe iniciativa shumë të rëndësishme sociale në fushën e arsimit, shëndetësisë, zhvillimit rural, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe mbrojtjes ekologjike.

Nga ana e tij, Kryepeshkopi Anastas thuhet se në fillim ka uruar Kryeministrin grek që Perëndia t’i japë urtësi për të vazhduar të vlerësojë saktësisht realitetin ku ndodhet Greqia dhe për të marrë vendimet e duhura.

“Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm, vend fqinj. Me gjithë zemër besoj se atë që do populli është respekti, dashuria, e vërteta, mendimi krijues dhe vepra krijuese dhe këtë po përpiqemi të bëjmë. Do të gëzohemi se pavarësisht rezultatave të zgjedhjeve, do të vizitoni Shqipërinë”, ka thënë Anastasi.

Ndërsa nuk publikohen hollësi të mëtejshme të takimit,burime pranë Kryeministrit grek thonë se është diskutuar edhe për incidentin e kishës së Shën Athanasit në Dhërmi, të cilën Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë e ka dënuar, duke theksuar se është një incident që ndikon në respektimin e pronës private, por edhe në lirinë e besimit fetar.

Kryepeshkopi shqiptar ka pasur një takim disa minutësh edhe me zv/ministrin e Jashtem, Jannis Amanatidis, ndërsa më herët është takuar edhe me Presidentin grek, Prokopis Pavlopoulos, ku përveç problemeve të minoritetit grek në Shqipëri, apo zhvillimeve politike në Greqi, ka biseduar edhe për krizën e refugjatëve dhe emigrantëve dhe përpjekjet e Greqisë dhe shteteve të tjera europiane për përballimin e saj.

Top Channel