Milan, Balotelli: E parandieja rikthimin në “shtëpi”. Më duhet të punoj shumë

25/08/2015 00:00

Mario Balotelli ka ndryshuar objektiva: të punojë, të stërvitet dhe të flasë vetëm me performancat e tij në fushat e blerta dhe jo me fjalë. Dhe e gjithë kjo, pas rikthimit në Milano, ku është huazuar nga Liverpool te skuadra e Milanit për një aventurë të dytë me kuqezinjtë.

Ideja duket qartë nga fjalët e pakta që ka dhënë për gazetarët me të mbërritur në Itali, ku dhe do të kryejë vizitat mjekësore në klinikën “La Madonnina”.

“Duhet vetëm të punoj”, përsërit me një zë të ulët ish-sulmuesi i “The Reds”, ndoshta edhe për t’i dhënë një sinjal drejtuesve kuqezi mbi ndryshimin e mentalitetit të tij.

“Jam i lumtur për këtë rikthim, mezi pres të stërvitem, kështu që nuk kam shumë fjalë për të thënë”, shprehet italiani. “Fizikisht jam shumë mirë, ndaj dhe duhet të nis stërvitjen sa më shpejt me skuadrën”.

Pavarësisht se ky sezon është tepër i rëndësishëm për shkak se në fund të tij do të zhvillohet Europiani “France 2016”, Balotelli nuk dëshiron të flasë shumë për objektivin me “axurrët”. “Kam motivime të shumta, por s’kam dëshirë të flas shumë. E përsëris, duhet vetëm të punoj”.

Sa i përket mesazheve të dashurisë për fanelën e Milanit: “E parandieja se do të rikthehesha, sepse e kam pasur gjithnjë në zemër Milanin. Fundi i karrierës? Më duhet të nis të punoj që sot, por nuk është si një rikthim në shtëpi, sepse banoj në Brescia”, thotë duke buzëqeshur Balotelli.

Top Channel