Një ditë para koncertit që pritet të mbahet sot në mbrëmje në “Qemal Stafa”, artistja me famë botërore Anastacia, ka mbërritur në Tiranë.

Ndonëse një këngëtare e madhe në muziken pop, Anastacia mbërriti në aeroportin e Rinasit pasditen e së hënës pa shumë ceremoni, e  shoqëruar nga motra e saj dhe stafi mbështetës.

Organizatorët e eventit bëjnë me dije se pjesë e axhendës së këngëtares është një takim i shkurtër me kryeministrin Rama, i cili është edhe mbështetës i këtij aktiviteti.

Anastacia, veç argëtimit në stadiumin e mbushur, vjen në vendin tonë edhe me nismën humane të mbrojtjes së femrës. Albumi i saj mban titullin “Ringjallje” dhe përcjell mesazhe inkurajimi e force, mesazhe të cilat po përçohen në mbarë botën përmes turit të artistes që përfshin rreth 60 qytete, ne mes tyre edhe Tiranën.

Simboli i forcës femërore vjen në vendin tonë me mesazhin e fortë se femra mund t’ja dalë edhe në luften ndaj tumorit. Jeta, karriera dhe kontributi i saj në shoqëri përmes këngës do të jenë në fokus edhe të një interviste ekskluzive që Anastacia do të japë për Top Channel.

Këngëtarja me zë unik në muzikën pop, do të sjellë për publikun shqiptar këngët e famshme si “Sick and tired”, “Not that kind of girl”, “Left outside alone” e shumë të tjera që e bënë të famshme në mbarë botën; sonte; live në stadiumin “Qemal Stafa”.

Top Channel