Elbasan, banorët protestojnë për ujin e pijshëm. Ujësjellësi: Janë debitorë

25/08/2015 00:00

Banorët e lagjes “Skënderbej” në Elbasan protestuan për mungesën e ujit të pijshëm, që ata thonë se iu mungon prej vitesh. E pavarësisht mungesës së ujit në pjesën më të madhe të vitit, ata shprehen se janë faturuar në mënyrë fiktive dhe se nuk i kanë paguar këto fatura, për shkak se nuk kanë pasur ujë.

Ujësjellësi Elbasan pranon se, në këtë lagje nuk janë bërë aq investime sa duhen, por sqaron se kjo lagje, pjesërisht informale, është e mbipopulluar me ndërtime. Një pjesë e mirë e banorëve nuk kanë kontrata me Ujësjellësin dhe kanë ndërhyrë vetë – sipas Ujësjellësit, – në tubacionet kryesore.

“Ata janë debitorë prej 15 vitesh dhe nuk kanë paguar qoftë edhe njëherë të vetme. Pastaj le të diskutojmë për pjesën tjetër, sepse ne nuk po themi që nuk kemi fajet e gabimet tona, por ata kanë bërë shkelje më të mëdha sesa ne”, u shpreh Altin Cenolli, drejtor i Ujësjellësit Elbasan.

Drejtori i Ujësjellësit të Elbasanit deklaron se, në tetor do të ndërhyhet në të gjithë sistemin e ujit të pijshëm në këtë qytet, duke zgjidhur – sipas tij, – edhe problemin shumëvjeçar të lagjes “Skënderbej”.

Top Channel