Skenar rezervë për Eurobondin. Qeveria mund të tërhiqet nëse interesat rriten

25/08/2015 00:00

Qeveria shqiptare është duke mbajtur skenarë rezervë financiarë, nëse kushtet e pafavorshme në tregjet ndërkombëtare do e bëjnë të pamundur emetimin e Eurobondit.

Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se, muajin tjetër ose në tetor, Shqipëria do të tentojë të dalë në tregjet ndërkombëtare për të rinovuar Eurobondin prej 300 milionë eurosh, afati i të cilit përfundon në fund të vitit.

Por, situata në tregjet financiare është trazuar nga zhvillimet e fundit të krizës greke dhe “cunamit” financiar të shkaktuar nga Kina. Veç faktorëve të jashtëm, një tjetër e panjohur mbetet, efekti që do të ketë tek investitorët largimi i përkohshëm i FMN-së, pa nënshkruar marrëveshjen e radhës me qeverinë.

Burime nga Financat thonë se, pritshmëritë janë që procesi të realizohet me sukses. Por nëse kushtet, me të cilat investitorët do t’i ofrojnë borxh qeverisë, do të jenë të pafavorshme, atëherë Ministria e Financave mund të tërhiqet nga Eurobondi dhe t’i drejtohet tregut të brendshëm për borxh.

Ekspertët e ministrisë thonë se, edhe nëse Eurobondi nuk do të finalizohet, kjo nuk e vendos buxhetin në vështirësi. Sipas tyre, qeveria ka likuiditet të bollshëm për të financuar plotësisht planin buxhetor të këtij viti, e madje mund të përballojë edhe shlyerjen e Eurobondit të marrë në vitin 2010.

Kjo, pasi pak muaj më parë, qeveria arriti të marrë një kredi 250 milionë euroshe me garanci të Bankës Botërore, ndërkohë që ditët e fundit ka siguruar borxh në valutë nga tregu i brendshëm, përmes ankandeve të Bankës së Shqipërisë.

Ministria e Financave pretendon se, ky pozicion financiar i jep mundësi zgjedhjeje qeverisë, e cila do e pranojë borxhin vetëm nëse kushtet e tij do të jenë të favorshme, me norma të ulëta interesi dhe afat të gjatë maturimi. Sipas planit fillestar, Qeveria synon që të marrë 300 deri në 500 milionë euro borxh, përmes emetimit të një Eurobondi të ri. Parà, të cilat do të përdoreshin për të shlyer borxhet ekzistuese dhe për të financuar deficitin buxhetor.

Top Channel