VV, aksion simbolik në vendlindjen e Mustafës. Aktivistët përplasen me policinë

25/08/2015 00:00

Përpjekja e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për të realizuar një aksion simbolik para shtëpisë së Kryeministrit Isa Mustafa, në fshatin e tij të lindjes në Prapashtice, ka përfunduar në përleshje me forcat policore.

Forca Speciale të Policisë së Kosovës, fillimisht ndaluan automjetet me të cilët po udhëtonin drejt fshatit aktivistët duke i kontrolluar për më shumë se një orë. Gjatë kësaj kohe aktivistët vazhduan rrugën në këmbë, ndërkohë që po shtoheshin forca policore në drejtim të pronave të Kryeministrit.

Situata u përshkallëzua kur në afërsi të pronave të Kryeministrit ishin pozicionuar dhjetëra forca policore, të cilët nuk lejuan vazhdimin e aksionit, që ishte vendosja e parullës, “Isa Ranch, Shiti pronat tua, jo Kosovën”, në shtëpinë e Kryeministrit Mustafa.

Gjatë ndërhyrjes u përdor edhe spraj për të zmbrapsur aktivistët duke arrestuar 3 nga ta, anëtarin e kryesisë Zgjim Hyseni, Egzon Azemi dhe Gëzon Kastrati.

Pas dështimit për të realizuar aksionin simbolik, në konferencë të jashtëzakonshme doli sekretari organizativ i Vetëvendosjes Dardan Molliqaj, i cili tha se reagimi I policisë ishte  provokim.

“Nëse policia përmes individëve vazhdon ta provokojë situatën duke arrestuar qytetarët në mënyrë të padrejtë dhe në anën tjetër të lëshojë pe ndaj Serbisë. Ne paralajmërojmë institucionet e Kosovës që kjo do të çojë në eskalim të situatës në Kosovë dhe atë përgjegjësi do ta mbajë Kryeministri i Kosovës dhe institucionet tjera përgjegjëse në këtë rast policia e Kosovës, e cila është vënë në shërbim të këtyre interesave”, tha Dardan Molliqaj, sekretar organizativ i LVV.

Molliqaj tha se Vetëvendosje do të vazhdojë kundërshtimin e marrëveshjeve, të cilat po arrihen në Bruksel, duke theksuar se sa i përket marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, jo vetëm se do ta kundërshtojnë, por edhe do ta pamundësojnë një gjë të tillë.

Top Channel