Lirohet vajza që i vuri gjobë të atit. Vajza: Ishte shaka për të provuar dashurinë e babait

25/08/2015 00:00

Vepra që njihet në Kodin Penal si gjobëvënie e që është e dënueshme me burgim deri në tetë vjet, për disa avokatë është një test që vërteton se sa një prind e do fëmijën e tij.

Me këtë argument që e kanë justifikuar si një shaka, por që nuk shkaktoi aspak humor në gjykatë, avokatët tentuan të përfaqësojnë tre adoleshentët e arrestuar për vendosjen e një gjobe 400 mijë euroshe.

Sipas prokurorisë, adoleshentët Orion Hoxha  dhe Kristi Gjora, në bashkëpunim me gjimnazisten Nensi Çobo kanë orgnizuar rrëmbimin e rremë të vajzës, e më pas me një kartë SIM të blerë në tregun e zi, i kanë kërkuar 400 mijë euro të atit për ta kthyer gjallë. Në këtë histori, vajza është po ashtu bashkëpunëtore, për veprën e “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.

“Klienti im me vajzën janë në një lagje, kanë marrëdhënie shoqërore”, tha avokati Hysen Spahiu.
Për prokurorin Besnik Muçi, Nensi Çobo duhet t’i nënshtrohet masës “detyrim paraqitjeje”, kërkesë që u pranua nga gjykata. Ndërkohë, dy shokët u lanë nën masën “arrest me burg”.

“Klienti im ka dy javë që ka mbushur 18 vjeç, është ende në shkollë. Mësimi nuk duhet ndërprerë, ashtu siç thotë konventa ndërkombëtare për të rinjtë. Gjykata ka vendosur kështu, por ne do e çojmë në apel. Klienti im nuk është penduar pasi nuk ka bërë asgjë. Nuk ka vendosur asnjë gjobë”, tha avokati.

Adoleshentja mësohet të ketë deklaruar para policisë se i kishte vendosur gjobë të atit për të ndihmuar të dashurin e saj Orionin, i cili dëshironte të hapte një biznes.

Top Channel