Nis shpërndarja e teksteve shkollore

25/08/2015 00:00

Në të gjithë vendin ka nisur shpërndarja e librave shkollore, një pjesë e madhe e të cilave janë rishikuar nga shtëpitë botuese.

“Të gjithë tekstet kanë kaluar në sitën e mësuesve dy herë radhazi. Të gjitha vërejtjet e bëra nga mësuesit janë marrë nga botuesit dhe të gjitha korrigjimet ata janë të detyruar t’i botojnë. Botuesit kanë qenë shumë të impenjuar për këtë gjë, që produkti të ishte sa më pranë kërkesave”, shprehet Agim Leka, këshilltar i ministres së Arsimit.

Ministria e Arsimit sqaron se prindërit dhe nxënësit mund t’i tërheqin tekstet shkollore pranë librarive apo ambienteve që kanë përzgjedhur vetë shkollat.

“Tekstet po shpërndahen në të gjitha shkollat. Në bazë të ligjit botuesit i dërgojnë tekstet në shkollë dhe atje bëhet shitja në procesin normal. Kjo mund të bëhet edhe brenda ambienteve të shkollave, kur botuesit e shikojnë të arsyeshme mund të bëhet edhe në libraritë ekzistuese të qyteteve ose komunave”, thotë Leka.

Këtë vit nxënësit e klasave të para dhe të gjashta do të kenë në duar tekstet e reja, të cilat janë përkthyer nga shtëpitë botuese më të njohura ndërkombëtare.

Top Channel