PD: Meta dhe Rama blenë kryetarin e komunës para zgjedhjeve të 21 Qershorit

25/08/2015 00:00

Partia Demokratike ka denoncuar atë që e quan “një aferë të pastër korrupsioni”. Nëpërmjet Arben Ristanit, partia më e madhe opozitare në vend thotë se para zgjedhjeve është blerë një kryetar komune për t’i shërbyer Metës në Cërrik.

“Agron Hysa, ish-kryetari i Komunës Mollas, nuk i përkiste kësaj mazhorance. Por ai kaloi me Ilir Metën dhe Edi Ramën, pasi kompanisë së tij iu dha në mënyrë të pastër korruptive tenderi prej 8 miliardë e 684 milionë lekësh për rikonstruksionin e rrugës Elbasan-Banje, në fillim të qershorit. Në këmbim të këtij favori financiar miliarda lekësh, kryetari i Komunës u rreshtua në krah të Ilir Metës e kandidatit të tij për Cërrikun, dhe kjo dëshmohet nga dhjetra foto të takimeve elektorale. Vetë tenderi ka shkelje dhe abuzime të rënda ligjore. Ky është një korrupsion i skajshëm me paratë publike, një hajdutëri tipike e markës Rama-Meta. Sigurisht, fituesi ishte i paracaktuar. Dhe ndërkohë Agron Hysa u zhvendos poltikisht nën strehën e fundit të maskarenjve, duke punuar në fushatën e LSI-së për Bashkinë Cërrik”, u shpreh Ristani.

“Ky rast i pastër korrupsioni politik dhe financiar duhet ta verë menjëherë në lëvizje Prokurorinë. Por ky është vetëm një nga rastet e këtij regjimi të korruptuar që tenderon e jep me koncesione miliarda lekë për miqtë dhe klientët, nga rrugët tek burgjet, nga shëndetësia në ekonomi, në tatime e dogana e në çdo sektor publik, ndërkohë që zhvat edhe kacidhen e fundit nga shqiptarët e pamundur. Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të nisë hetimin e kësaj afere, e të vërë para përgjegjësisë penale autorët e këtij krimi korruptiv”, shtoi Ristani.

Top Channel