Dhjetëra refugjatë nga Lindja e Mesme, për çdo ditë kryejnë kontrolle falas te mjeku Abdulla Sabuh me prejardhje nga Siria, por që prej vitesh jeton në Shkup.

Ai, është angazhuar nga Kryqi i Kuq dhe për më tepër se dy javë iu del në ndihmë emigrantëve sapo të arrijnë me tren në pikën kufitare Tabanoc afërsi Serbisë. Të paktën 20 persona, kanë kaluar nëpër duart e mjekut Abdulla vetëm mëngjesin e së martës, ndërsa gjatë ditës ky numër rritet për disa herë.

“Gjatë ditës ndihmojë shumë njerëz bashkë me kolegët. Sot kam kryer 25 kontrolle, kurse një ditë tjetër kam mjekuar 150 refugjatë. Në të shumtën e rasteve janë persona me lëndime në këmbë nga rrugëtim i gjatë. Por, ka edhe nga ata që kanë kokë dhimbje apo gërvishtje në trup. Kam ndihmuar edhe gra shtatzëna dhe persona me temperaturë të lartë. Ndodh të ketë edhe raste të rënda, por në përgjithësi kam hasur në raste të lehta”, shprehet mjeku Abdulla Sabuh.

Treni i parë i ditës së martë solli në stacioni hekurudhor në Tabanoc rreth 300 refugjatë, kurse qindra të tjerë kanë mbërritur më vonë. Në këto tenda të ngritura pranë stacionit emigrantët pushojnë shkurt dhe më pas vazhdojnë rrugëtimin drejtë Serbisë.

“Tre kilometra prej këtu është kufiri, pastaj kemi edhe tre kilometra tjera për të arritur në Preshevë, ku do të marrin leje qarkullimi për në Serbi dhe  më pas lëvizim me tren drejtë Beogradit, kryeqytetit serb”, shprehet një emigrant.

“Probleme sot nuk kemi pasur, por para dy ditëve kishte shumë”, thotë një tjetër emigrant.

Në 24 orët e kaluara rreth 1000 refugjatë kanë hyrë në Maqedoni nga Greqia. Në ditët në vijim ky numër pritet të shkojë deri në 3000.

Top Channel