Ymeri: Qeveria bëri një hap të madh drejt bosnjëzimit të Kosovës

25/08/2015 00:00

“Zajednica nuk ka qenë OJQ as në marrëveshjen e prillit të vitit 2013, e lëre më tash me këto detaje të kompetencave të saj. Në të vërtetë i tërë ky alarmim i përfaqësuesve të Qeverisë e të shërbyesve të pushtetit flet në vete për hapin e madh që sot Qeveria e Kosovës e bëri drejt bosnjëzimit të Kosovës”. Kështu ka reaguar lideri i VV, Visar Ymeri në “Facebook” pas marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel mes Kosovës e Serbisë.

Sipas Ymerit, sa herë që bëhen koncesione të dëmshme dhe shtet-rrënuese ndaj Serbisë, na del dikush nga aparati shtet-parti e flet për atë se si Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë.

“Zajednica në vete përbën kurorëzim të ndarjes së Kosovës në vija etnike. Kështu ajo o refuzohet në tërësinë e saj, me cilëndo formë që merr, ose pranohet si parim dhe praktikë e një Kosove pa republikë e pa perspektivë zhvillimi. Qeveria e ka pranuar Zajednicën. Këta matrapazë negociatorë të udhëhequr nga kryematrapazi Isa Mustafa, janë ata që po e vjedhin pasurinë e qytetarëve për ta shndërruar atë herë në të mirë materiale të djemve e vëllezërve të tyre, e herë në pronë publike të strukturave ilegale të Serbisë”, ka thënë Ymeri.

Top Channel