Skënderbeu mundet në Zagreb. Dinamo fiton 4-1 me 10 lojtarë përballë korçarëve

25/08/2015 00:00

Skënderbeu nuk ka arritur të realizojë ëndrrën Champions, pasi është mposhtur edhe në ndeshjen e dytë të fazës “play-off” të Ligës së Kampionëve me rezultat 4-1 nga Dinamo Zagreb.

Megjithatë, aventura në kompeticionet europiane nuk përfundon këtu, pasi kampionët e Shqipërisë do të luajnë në fazën e grupeve të Europa League-s.

Skënderbeu u mundua që të tregohet agresiv në minutat e para, mirëpo Dinamo menjëherë gjen rrugën e golit, duke shënuar në minutën e 8. Soudani, i harruar nga mbrojtja korçare në thellësi të zonës, shfrytëzon më së miri një krosim nga e majta për 1-0.

Kampionët e Shqipërisë u kundërpërgjigjën menjëherë, kur Arapi krosoi për Latifin i cili bukur futet në zonë, por portieri tregohet i shkathët duke ia larguar topin. Megjithatë, aty ishte Eskardinjo i cili shënon në portën bosh për 1-1.

Kroatët rritën presionin dhe si rezultat i kësaj, në minutën e 15 rikthejnë avantazhin me Hodziç. Pas një rrëmuje në mbrojtjen korçare, Soudani kthen topin mbrapa për sulmuesin kroat dhe 2-1.

Me të filluar pjesa e dytë, Galaço ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe të kuqin, duke i dhënë më shumë shpresa korçarëve, por kampionët e Shqipërisë nuk arritën ta shfrytëzonin epërsinë numerike në fushë.

Kur luhej minuta e 56, Shehi mposhtet për herë të tretë, pasi nga një goditje nga këndi, në zonë më së miri gjendet Taravel që shënon për 3-1.

Dhjetë minuta pa përfunduar ndeshja, Soudani sërish do të ndëshkonte Skënderbeun për të çuar rezultatin në 3-1, pasi më parë pranoi një top nga Rog dhe futet pa shumë problem në zonën e korçarëve.

Top Channel