Fushata ajrore kundër ISIS, Turqia u bashkohet SHBA-ve

26/08/2015 00:00

Një marrëveshje e arritur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta bëjë Turqinë pjesë të fushatës ajrore kundër militantëve të ISIS-it.

Hapin, që Ankaraja deri vonë kishte ngurruar ta hidhte, zyrtarët amerikanë e përshkruan si tepër të rëndësishëm në luftën kundër ekstremistëve të dhunshëm të Shtetit Islamik.

Avionët amerikanë janë lejuar tashmë të përdorin dy baza të mëdha ajrore turke. Turqia i ka ndërmarre disa sulme nga ajri kundër ISIS-it, por tani do të përfshihet plotësisht në strategjinë e koalicionit të gjerë ndërkombëtar kundër grupit më të rrezikshëm xhihadist të momentit.

Sipas zëdhënësit të Pentagonit, Peter Cook, do të duhen ndoshta disa ditë derisa marrëveshja të vihet në zbatim. Bashkëpunimi me turqit dhe, mbi të gjitha zgjerimi i tij, mbeten një punë në progres dhe bisedimet me Ankaranë do të vazhdojnë përsa i takon çështjeve kufitare, shtoi zëdhënësi.

Po të mos ishte për sulmet brenda Turqisë, përgjegjësia e të cilave rëndoi mbi ISIS-in, ekzekutivi turk mbase do të vazhdonte të ndiqte linjën e vetë të shmangies së një përballjeje të hapur me ektremistët, që avancimin e tyre në Irak e Siri nuk e kanë nisur veçse dy vite më parë.

Por, pozicioni i Ankarasë përsa i takon aksionit ushtarak ndryshoi, pas episodeve të dhunshme që shkaktuan me dhjetëra të vdekur. Kjo u kthye në një situatë të volitshme për të goditur në të njëjtën kohë edhe armiqtë e vjetër, militantët e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK).

Vëzhguesit e huaj thonë se luftëtarët e PKK-së janë sulmuar prej turqve shumë më tepër sesa ISIS-i. Zyrtarisht, Ankaraja nuk e pranon se fushata e saj anti-ISIS në fakt ishte një maskim i përpjekjeve për të penguar kurdët që të fitojnë terren.

Qeveria turke është përballur deri vonë me një valë kritikash, si brenda kufijve ashtu edhe jashtë, për faktin se nuk po bënte mjaftueshëm për të luftuar ISIS-in, edhe pse ishte pjesë e koalicionit ndërkombëtar të angazhuar në frenimin e tij.

Top Channel