Shqipëria hap konsullatë në Gjakovë. Konsulli emërohet në shtator

26/08/2015 00:00

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi ka njoftuar se Shqipëria do të hapë konsullatë në Gjakovë. Ky vendim, sipas tij, erdhi pasi qyteti jugperëndimor i Kosovës ka një bashkëpunim të ngushtë me bashkitë veriore të Shqipërisë.

Në një deklaratë të Komunës së Gjakovës, duke cituar ambasadorin Minxhozi, thuhet se vendimi për hapjen e konsullatës është marrë, ndërsa konsulli do të emërohet në muajin shtator.

Minxhozi ka zhvilluar një takim me kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ndërsa më pas ka mbajtur edhe një konferencë për media, ku ka treguar për vendimin mbi konsullatën.

Konsullata shqiptare në Gjakovë nuk do të ndërhyjë në punët diplomatike të Ambasadës, por sipas Minxhozit, ka më tepër karakter shpirtëror për Gjakovën dhe për personin që do të emërohet si konsull.

Sidoqoftë, kryetarja Kusari-Lila është shprehur e lumtur për vendimin e hapjes së konsullatës. Sipas saj, konsullata do të bëjë të mundur realizimin e shumë projekteve me rëndësi për Gjakovën dhe bashkitë veriore të Shqipërisë.

“Kjo zyrë do të jetë një mundësi e re për thellimin e bashkëpunimit, duke krijuar një hapësirë tjetër të veprimit dhe koordinimit të planeve dhe projekteve zhvillimore, kulturore, turistike dhe ekonomike. Tashmë jemi në rrugë të mbarë për rregullimin e infrastrukturës në zonën kufitare, duke vënë theksin te hapja e pikave të reja kufitare, që padyshim do jenë një mundësi e re sidomos për promovimin e vlerave të përbashkëta turistike”, citohet të ketë thënë Kusari-Lila.

Top Channel