IKMT shemb kishën pa leje në Dhërmi. Bashkia: Do të rindërtohet kisha e vjetër

26/08/2015 00:00

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ekzekutoi rreth orës 5.00 të mëngjesit në Dhërmi vendimin për prishjen e objektit ku ishte vendosur kisha e Shën Thanasit.

Ky aksion u ndërrmor në këtë orë si mënyrë për të shmangur problemet me një pjesë banorësh të cilët kanë qëndruar përgjatë gjithë këtyre ditëve në mbrojtje të saj.  

Gjithçka ka zgjatur vetëm pak minuta ndërsa më pas banorët kanë qëndruar për një kohë të gjatë pranë rrënojës dhe ikonave që ata vendosën mbi to.

Kisha e Shën Thanasit ‎rrënjët i ka në shekullin e 16 duke patur këtë pamje siç duket në këtë fotografi. Regjimi komunist e shkatërroi thuajse tërësisht gjatë periudhës së çmendurisë për zhdukjen e objekteve të kultit. Ndërsa këtë pamje kisha e morri në vitin 1993. Pamje të cilën e ruajti për plot 22 vite.

I kontaktuar nga Top Channel kryetari i bashkisë Himarë Jorgo Goro‎ tha se kjo nuk është shembja e një objekti kulti, përkundrazi sipas tij në këtë vend do të ngrihen një kishë e cila do të përfaqësojë identitetin e vërtetë historik dhe fetar të saj siç duket edhe ne fotografinë tashmë të njohur.

“Në atë vend ka qënë një objekt historik që jka patur vlera të veçanta për zonën dhe gjithë Shqipërinë. Aty do vazhdojë puna për gjetjen e gjithë themeleve të kishës së vjetër, 400-vjeçare, e cila do të restaurohet dhe rindërtohet ashtu siç ka qënë që të jetë e mundur të aksesohet, të njihet, të vizitohet dhe t’i japë vlerën e duhur gjithë Himarës dhe gjithë Shqipërisë. Sepse ajo ka një histori të veçantë, një histori e cila do të ndryshojë të gjithë historinë e rilindjes shqiptare dhe bregdetit në përgjithësi”, tha Goro.

Për më tepër zoti Goro theksoi se bashkia është e gatshme ‎të mbështesë në ngritjen edhe të objekteve të tjera të kultit të cilat t’i bëjnë nder, siç ai theksoi, historisë së Dhërmiut dhe nevojave aktuale të banorëve të saj.

“Ne do të ndërtojmë kishën ashtu siç ka qënë. nëse besimtarët nuk do të duan të vazhdojnë ritin e tyre në atë kishë ne jemi të hapur të ofrojmë një vend tjetër, një apo dy kisha sa të dojë komuniteti, që ata të falen dhe të kryejnë ritet e tyre fetare”, tha Goro.

Edhe pse kërkuam të kontaktojmë me priftin e kishës ka qënë e pamundur, pasi ai ka refuzuar të komentojë këtë ngjarje. Ashtu si kryeplaku dhe banorët që ishin në ruajtje të saj të cilët po ashtu zgjodhen heshtjen. Sipas burimeve për Top Channel menjëherë pas pastrimit të rrënojës ekspertët e monumenteve të kulturës do të nisin hartimin e projektit për të rikthyer tashmë jo vetëm në fotografi por edhe në realitet kishën e vjetër të Shën Thanasit, e cila nuk ka qënë kishë katolike dhe nuk do të jetë kishe katolike.

Por ka qënë djepi i pararilindjes shqiptare ku është mësuar e shkruar shqipja. Dhe jo vetëm kaq, sipas burimeve historike,  eshtrat e priftit të famshëm iluminist shqiptar Niko Katalani që jane zhvarrosur barbarisht nga trualli i kishës së vjetër nga antishqiptarë të përbetuar do të rikthehen në vendin e tyre. Objektin e rindërtuar Bashkia e Himarës do ta bëjë një hapesire muzeale të kësaj historie të vyer të popullit shqiptar.

Top Channel