Operacion i përbashkët antidrogë Shqipëri-Itali, arrestohen 14 persona

26/08/2015 00:00

Një tjetër avion sportiv me 120 kilogramë marijuanë në bord u bllokua në Brindizi, gati më shumë se një orë pasi ishte ngarkuar me lëndën narkotike në fshatin Xhelilaj të Vlorës.

Pas hetimeve dypalëshe Itali-Shqipëri, 14 persona ranë në pranga gjatë operacionit të koduar “Fluturimi i lirë”. Mes të arrestuarve, njëri ndër bashkëpunëtorët në trafikun ndërkombëtar të drogës është oficer policie në Qarkun e Vlorës, me funksionin e shefit të personelit, e konkretisht shtetasi Vladimir Zanaj.

Interforce, Policia dhe Krimet e Rënda deklarojnë se, avioni sportiv “Aereoprakt A22” ishte pronë e 26-vjeçarit Vilson Lamaj, po që në rrethin e tij e thërrisnin Vilson Mandela. Ai rezulton prej vitesh rezident në Itali, ndërsa në këtë grup trafiku kishte rolin e pilotit të drogës.

Një muaj më parë, hetimet janë vënë në lëvizje nga pala italiane, e cila po hetonte prej mëse një viti një rrjet të shpërndarjes së drogës në Itali, çfarë ka sjellë edhe përgjime intensive dhe vëzhgime nga autoritetet e të dyja shteteve. Madje, raportohet se Italia i kishte vendosur aparaturë përgjuese edhe avionit, në mënyrë që të ndiqte në mënyrë të sigurtë itinerarin e drogës.

Gjatë deklaratës për media, zyrtari i Policisë së Shtetit, Ardian Çipa u shpreh se, kjo ishte rruga e parë që ky rrjet po aplikonte për trafik droge nëpërmjet ajrit.

“Procedimi penal nr. 203 është rregjistruar në mesin e muajit korrik 2015, duke shkëmbyer vazhdimisht informacion dhe duke koordinuar veprimet mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane. Autoritetet u vunë në dijeni për aktivizimin e një linje, që do të trafikonte drogë nga vendi ynë drejt Italisë. Linja e trafikut ishte planifikuar të kryhej përmes përdorimit të një avioni të vogël. Në këtë kuadër, mëngjesin e datës 24 gusht 2015, avioni i vogël, i drejtuar nga shtetasi Vilson Lamaj, është nisur nga Italia me destinacion vendin tonë, duke u ulur në orën 07:02 në një zonë pa shumë lëvizje, në afërsi të fshatit Xhelilaj, pranë Sevasterit në Vlorë, ku edhe ka ngarkuar një sasi prej 120 kg marijuanë”, tha Ardian Çipa.

Grupi i hetimit deklaron se, me rol kryesor në këtë rrjet shikohen edhe 3 vëllezërit Lamaj, ku si drejtues dyshohet të jetë Sokol Burhamaj, i cili ka ndryshuar mbiemrin nga Lamaj në Burhamaj.

Shumica e të arrestuarve janë kushërinj me njëri-tjetrin, si dhe me lidhje shoqërore. Ndërsa 8 persona u prangosën në Itali, 6 të tjerët ishin pjesë e goditjes policore në Vlorë, që të gjithë shtetas shqiptarë.

Personat e ndaluar në Shqipëri janë:

– Neko Bruhamaj, 45 vjeç, lindur në Ramicë e banues në Vlorë
– Fatos Bruhamaj, 30 vjeç, lindur në Ramicë e banues në Vlorë
– Fadil Shahaj, 53 vjeç, lindur në Vllahinë e banues në Vlorë
– Igli Shahaj, 22 vjeç, lindur në Vllahinë e banues në Vlorë
– Sokol Lamaj (Burhamaj), 34 vjeç, lindur e banues në Babicë e Madhe, Vlorë
– Vladimir Zanaj, efektiv i Policisë së Vlorës me detyrën shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore.

Megjithatë nuk u dha asnjë detaj për rolin e zyrtarit të policisë lokale në këtë rrjet droge, pavarësisht se jo zyrtarisht thuhet se Zanaj ishte garantuesi i grupit, pasi dyshohet se i njëjti grup apo bashkëpunëtorë të tyre merreshin me kultivimin e kanabisit. Për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, çështja është ende nën hetim.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i shtetit italian falënderoi drejtuesit policorë, që bashkëpunuar në këtë aksion antidroge.

Ndërkohë, në Itali janë arrestuar:

Elizer Ahmetaj, 27 vjeç
Xhesian Ahmetaj, 21 vjeç
Arshi Ahmetaj, 29 vjeç
Artjon Lamaj, 29 vjeç
Kleo Lamaj, 30 vjeç
Bukurosh Këshilli, 25 vjeç
Virjon Imeraj, 32 vjeç.

FOTO GALERI
1/5
Operacion i përbashkët antidrogë Shqipëri-Itali

Top Channel