Samiti i Vjenës, Mustafa e Thaçi kryesojnë delegacionin kosovar

26/08/2015 00:00

Zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, ka udhëtuar këtë të mërkurë për në Vjenë, ku së bashku me kryeministrin, Isa Mustafa, dhe delegacionin e Kosovës do të marrin pjesë në Samitin treditor për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Zëvendëskryeministri Thaçi do të marrë pjesë në takimin e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Kosovës, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Pritet që zëvendëskryeministri Thaçi dhe kryeministri Mustafa të nënshkruajnë disa marrëveshje bashkëpunimi ndërshtetëror.

Në ditën e dytë të samitit, zëvendëskryeministri Thaçi do të jetë pjesë e panelit të shefave të diplomacive të shteteve të rajonit, mbi “Dialogun mes feve dhe luftën kundër ekstremizmit”, të drejtuar nga ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.

Në këtë samit do të marrin pjesë edhe krerët e vendeve organizatore të samiteve të vitit të shkuar dhe të sivjetshëm, Gjermanisë dhe Austrisë, me në krye presidentin Heinz Fischer. Do të jenë edhe krerët e vendeve që do të organizojnë samitet e radhës në vitet që vijnë, Francës dhe Italisë, por edhe ata të shteteve që e përkrahin “Procesin e Berlinit”, Sllovenisë e Kroacisë, bashkë me shumë anëtarë të Komisionit Evropian dhe presidentë të institucioneve ndërkombëtare financiare.

Samiti i sivjetshëm i Vjenës për shtetet e Ballkanit Perëndimor është i ndarë në 3 nivele: për kryeministra, për ministra të Jashtëm dhe për ministra të Ekonomisë; kurse tema kryesore të tij do të jenë “infrastruktura dhe ndërlidhja”, “bashkëpunimi rajonal”, “rinia” dhe “sfida e refugjatëve”.

Top Channel