DASH uron Kosovën e Serbinë për marrëveshjet. Vlerësohet roli i Mogherinit

26/08/2015 00:00

Departamenti amerikan i Shtetit uron shtetet e Serbisë dhe Kosovës, si dhe delegacionet e tyre, për arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme mbrëmjen e së martës, gjatë bisedimeve të ndërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Në letrën e DASH vlerësohet gjithashtu me nota të larta roli i Mogherinit dhe ekipit të saj në arritjen e tyre.

“Marrëveshjet e përmbyllura mbi energjinë, telekomin, themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, si dhe ajo për lirinë e lëvizjes në urën e Ibrit në Mitrovicë, do të përmirësojnë jetën e njerëzve në të dyja shtetet”, thuhet në njoftimin e DASH.

Më tej theksohet se, Shtetet e Bashkuara të Amerikës përgëzojnë të dy qeveritë për progresin e arritur, në përmbushjen e zotimeve të bëra në “Marrëveshjen e Brukselit” dhe në aspektet e tjera të dialogut, duke lëvizur kështu të dy shtetet drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe duke përshpejtuar rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

Në fund, SHBA përgëzojnë të dy shtetet për përkushtimin e tyre ndaj këtij procesi, duke përsëritur se SHBA-të do të vazhdojnë të mbështesin fuqishëm dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja.

Edhe agjecia europiane e lajmeve, “EUobserver” raporton për marrëveshjet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruara të martën në Bruksel.

“EUobserver” pohon se Serbia ka bërë edhe një hap të madh drejt njohjes së shtetësisë së Kosovës, tani që ka rënë dakord që Kosova të ketë kodin e saj shtetëror telefonik.

Më tej thuhet se, marrëveshja e ndërmjetësuar nga shefja e diplomacisë së BE-së, Federica Mogherini, për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, është krejtësisht në përputhje me ligjet e Kosovës.

Media e njohur evropiane citon Mogherinin, e cila pas arritjes së marrëveshjeve duket të ketë pohuar se “rezultati i sotëm përbën një arritje historike në procesin e normalizimit, duke shtuar mundësitë që të dy vendet do të avancojnë në rrugëtimin e tyre drejt BE-së”.

Top Channel