Italia kundër Gjermanisë për emigrantët, Gentiloni: Po bëjmë më shumë se ç’mundet

26/08/2015 00:00

Ministri i Jashtëm italian Paolo Gentiloni u tregua shumë i prerë në reagimin e tij ndaj pretendimeve të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Francois Hollande se brenda vitit, Roma duhet të hapë qendra të reja regjistrimi të emigrantëve.

Italia bën atë që duhet të bëjë e shumë më tepër se aq, duke shpëtuar me dhjetëra mijëra jetë njerëzore e duke pritur refugjatët ishte përgjigja e Gentilonit, që kujton gjithashtu se në nivel ndërkombëtar, vendi i tij është cituar si një model pozitiv në këtë drejtim.

T’i kërkosh Greqisë dhe Italisë të bëjnë detyrat e shtëpisë sa i takon emigracionit, do të ishte si t’i thuash vendeve të goditura nga përmbytje masive të shtojnë prodhimin e çadrave. Europa, në këndvështrimin e tij, duhet të shkojë pikërisht në drejtimin e kundërt të linjës që po ndjek në këtë moment, e që është fshikullimi i shteteve në kufijtë e jashtëm të bllokut.

Marrëveshjes së Dublinit tashmë i ka kaluar koha, këmbëngul Gentiloni. Situata aktuale dikton sipas tij nevojën për rregulla të reja mbi fluksin e refugjatëve, azilin në BE dhe riatdhesimin. E ndërsa në nivel politik, diskutimet mbi krizën që ka mbjellë shqetësimin në mbarë Bashkimin Europian vazhdojnë, po kështu nuk ndalet as vala e emigrantëve që mbërrin në Hungari nga Serbia duke ecur në këmbë përgjatë gjithë vijës hekurudhore të fshatit kufitar të Roszke-s.

Ballkani është në darën e një fluksi të paregjistruar ndonjëherë më parë refugjatësh, pasojë e luftës civile në Siri e trazirave në Lindjen e Mesme. Telat me gjemba të vendosura në kufi nga autoritet hungareze, janë një pengesë shumë e vogël për njerëz që kërkojnë me çdo kusht të lënë pas tmerret e luftës e varfërinë e skajshme.

Por shumica e emigrantëve, Hungarinë e shohin vetëm si rrugë kalimi drejt atyre që përbëjnë destinacionin e tyre të vërtetë: vendet e begata si Austria, Gjermania dhe Suedia, ku shpresojnë të punojnë e madje të krijojnë dhe një karrierë.

“Nuk kam aspak ndërmend të rri duarkryq e të pres favore. Këtyre vendeve nuk u nevojiten dembelë që vetëm hanë e nuk dinë si të shtyjnë ditën. Sirianët nuk janë të tillë. Unë kam diplomë në kontabilitet, vëllai im ka studiuar gjeologji. Unë dua të kompletohem, dua të ndërtoj të ardhmen time në vendin ku do të shkoj. Në Siri, nuk ka të ardhme për në”, thotë Yasan, emigrant sirian.
 
Numri i emigrantëve që kalojnë përmes Ballkanit është rritur në mënyrë të ndjeshme këto javët e fundit e sipas agjensisë së lajmeve Reuters, rreth 3.000 vetë llogaritet të hyjnë çdo ditë në Maqedoni nga Greqia fqinje.

Top Channel