Prishja e kishës, reagon Greqia; gati nota e protestës për Shqipërinë

26/08/2015 00:00

Pas shembjes prej INUV-it, të kishës së Shën Thanasit në Dhërmi, i ashpër ka qenë edhe reagimi i Athinës zyrtare.

Me tone kërcënuese, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Konstandinos Kutras krahason ngjarjen e Dhërmiut me shkatërrimin e objekteve të lashtësisë në Palmira të Sirisë prej xhihadistëve.

Një deklaratë kjo, që ka munguar në marrëdhëniet dypalëshe gjatë viteve të fundit.

Kutras, përveç dënimit të aktit, kërcënon Tiranën me masa të rrepta, si në marrëdhëniet dypalëshe, ashtu dhe në arenën ndërkombëtare.

Në deklaratën për shtyp, ai thotë:

“Shkatërrimi i objekteve fetare ndodhte deri para pak kohësh në Lindjen e Mesme dhe në veriun e Afrikës nga xhihadistët. Sot e pamë të bëhej realitet edhe në fqinjin tonë, Shqipëri. Asnjë koment më shumë. Për lëvizjet e tjera të Greqisë me Shqipërinë dhe bashkësinë europiane do të informoheni së shpejti”, përfundon deklarata.

Burime të Ministrisë së Jashtme greke kanë thënë për Top Channel se, nga momenti në moment, pritet të thirret në Ministrinë e Jashtme të Greqisë ambasadori i Shqipërisë në Athinë. Meqenëse zoti Dervishi ndodhet në Tiranë me pushime, në vend të tij do të shkojë e ngarkuara me punë e Ambasadës sonë, diplomatja Edlira Mërkuri. Burimet sqaruan se palës shqiptare do t’i paraqitet një notë proteste lidhur me rastin.

Top Channel