Rama reagon ndaj Athinës: Kisha Autoqefale Shqiptare s’ka nevojë për protektorat

26/08/2015 00:00

Prishja e Kishës Ortodokse të Dhërmiut, për t’i hapur rrugë rindërtimit të saj ashtu siç ka qenë para se të prishej nga regjimit komunist, ka ngjallur reagimin jo vetëm të Athinës, që edhe pritej, por edhe të Partisë Demokratike.

Basha, përmes një postimi në Facebook, e cilësoi aksionin e IKMT-së një “pabesi të Edi Ramës” dhe se zgjidhja duhej të mbërrinte në respekt të besimit të banorëve të zonës dhe vlerave historike.

Reagimi i kryeministri Edi Rama nuk ka vonuar. Po përmes rrjeteve sociale, kryeministri ka vlerësuar si të pabesueshëm qëndrimin e opozitës.

“Është e pabesueshme edhe për mua që ka kohë që nuk çuditem nga ushqimi i paçertifikuar që Partia Demokratike u jep përditë shqiptarëve, njësoj si ato thertoret e kthesës së Kamzës të cilat shisnin mish të therur në kohë reale mes baltës e gjakut. Është e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës”, shkruan Rama.

Kryeministri e quan absurd qëndrimin e Partisë Demokratike, ndërsa lidhur me qëndrimin e Athinës, ripërsëriti atë që ka thënë edhe më herët; Kisha Autoqefale Shqiptare nuk ka nevojë për protektoratin e shtetit fqinj.

“Është e pabesueshme që Partia Demokratike, për të sharë medoemos qeverinë, t’i bashkohet një përçapjeje dhe një përçartjeje që nuk ka asnjë lidhje me raportet e shtetit me fenë; nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e qeverisë me kishën e me klerin ortodoks; nuk ka asnjë lidhje me fqinjin jugor jo e jo. I cili nga ana e tij, duhet të vetëdijësohet se asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarëve nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj. Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë. Shqipëria është një vend ku kisha ortodokse është në shtëpinë e saj dhe jo në shtëpinë e komshiut, e po njësoj në shtëpinë e tyre janë edhe besimtarët ortodoksë të minoritetit grek. Të cilët e marrin meshën mes ortodoksëve shqiptarë dhe gëzojnë po njësoj si ata, të njëjtën liri fetare të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, thotë kreu i qeverisë.

Rama mbron qëndrimin e shprehur edhe më herët se ndërtesa në fjalë nuk mund të quhej një objekt kulti.

“Një ngrehinë e ndërtuar jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument kulture, të cilën në asnjë lloj konkursi për ta gjetur se çfarë është, nuk do të dilte dot njeri në botë që të thoshte është kishë”, thotë kryeministri.

Rama shton se ajo që po bëhet në atë truall në Dhërmi është një punë fisnike, që ngre lart vlerat e fesë, të historisë e të trashëgimisë kulturore të atij vendi dhe të kësaj toke.

“Bashkia e Himarës do të rindërtojë aty shembëlltyrën e kishës së vjetër të Dhërmiut dhe meriton vetëm përgëzime në synimin e vet, për ta bërë atë truall përçues të jehonës së një kohe e historie të shkuar që brezat po edhe vizitorët meritojnë ta përjetojnë”, shprehet Rama.

Top Channel