MZHETS shpall konkursin për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike të Spitallës

26/08/2015 00:00

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, (MZHETS) ka shpallur konkursin për ndërtimin e zonës së lirë ekonomike të Spitallës. Në shpallje thuhet se kontrata do të ketë një kohëzgjatje prej 99 vitesh. Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është deri më 28 tetor të këtij viti, ditë në të cilën do të hapen edhe ofertat.

Njoftimi për shpalljen e procedurës konkuruese është publikuar në numrin e sotëm të gazetës “Financial Times” dhe do të publikohet edhe për dy numra të tjerë radhazi, përkatësisht në numrat e datave 27 dhe 28 gusht 2015. Në shpallje saktësohet se, Ofertuesi duhet të paraqesë Formularin e Sigurimit të Ofertës dhe Vlera e kërkuar e Sigurimit të Ofertës është 15,000,000 lekë. Periudha e vlefshmërisë së ofertave është 150 ditë.

“Përsa i përket kritereve të përzgjedhjes së fituesit, vlerësimi do të bëhet me pikë, 100 në total, ku: me 20 pikë do të vlerësohet Propozimi teknik për ndërtimin e zonës; 6 pikë do të vlerësohet Ndikimi mjedisor; 16 pikë do të vlerësohet Ndikimi social; 8 pikë do të vlerësohet Koha e përfundimit të investimit dhe 50 pikë do të vlerësohet Kapaciteti financiar dhe mundësia e financimit të projektit (plani i biznesit)”, njofton MZHETS.

Zona e lirë ekonomike e Spitallës ka një sipërfaqe prej 501.9 hektarë, dhe shtrihet në afërsi të portit të Durrësit.

Top Channel