Balotelli, epoka e re e Milanit me rregulla strikte. Gjoba nëse i shkel ato

26/08/2015 00:00

Mario Balotelli, blerja më e fundit e Milanit në këtë merkato verore, njëkohësisht edhe një rikthim i tij te kuqezinjtë, do të duhet të përballet me një udhërrëfyes tepër strikt rregullash, të cilat do të shoqërohen me penalitete financiare nëse nuk i përmbush.

Me t’u transferuar në formë huazimi nga Liverpool te Milan, 25-vjeçarit i janë shtuar disa klauzola shtesë në kontratë nga trajneri Sinisa Mihajlovic dhe zëvendëspresidenti Adriano Galliani. Ato përbëjnë rregullat standarde që i kërkohen çdo lojtari të Milanit, duke marrë frymëzim nga Forcat Ajrore të Italisë.

E nëse nuk i realizon, Balotelli do të përballet me një sistem gjobash jo shumë për t’u anashkaluar.

Ja rregullorja e plotë:

– Ai nuk do të prishë imazhin e klubit përmes mediave sociale si Instagrami, Facebook apo Twitter, të cilat do të jenë të monitorueshme në çdo kohë. Ai e ka absolutisht të ndaluar të përhapë lajme në lidhje me klubin.

– Ai do të duhet të zgjedhë një model flokës më pak ekstravagant, si dhe duhet të vishet me një stil veshjeje të përshtatshme me stilin e një klubi si Milani.

– Ai nuk duhet të pijë më duhan. Duhanpirja i ndalohet në mënyrë absolute.

– Ai ka rënë dakord të mos e tejkalojë një nivel specifik alkooli në gjak, të rënë dakord me klubin, si dhe nuk do të mundet të dalë më nëpër klube nate.

– Ai duhet gjithashtu të mos vijë me vonesë nëpër seancat stërvitore.

Pas mbërritjes në “San Siro”, Balotelli ka pasur një takim të gjatë me Mihajloviçin në Firence, gjatë të cilit ai i tha trajnerit serb se tashmë ka ndryshuar dhe do të ulë kokën të punojë fort për të ardhmen e tij.

Milani do të përballet me Empolin mbrëmjen e së shtunës, ku Balotelli mund të debutojë për këtë sezon.

Top Channel