Basha: Shteti, i kapur nga krimi. Në krye të bandës, një oficer policie i lidhur me qeverinë

26/08/2015 00:00

“Ky është një tjetër fakt dhe dëshmi tronditësë e ortakërisë së qeverisë Rama-Meta me krimin”. Lulzim Basha ishte i bindur se pa ndërhyrjen e autoriteteve italiane tregtia e drogës me avion do të mbetej një rast i izoluar tek avioni i rrëzuar në Divjakë.

Sipas kreut të opozitës, gjendja është kritike sepse në trafikun e drogës, jo rastësisht është i përfshirë një oficer policie, me të kaluar kriminale.

“Në krye të bandës së trafikut qëndronte vetë shefi i burimeve njerëzore të Policisë së Vlorës, Vladimir Zanaj, i shkarkuar në vitin 2007 nga Policia e Shtetit, pikërisht prej dyshimeve për përfshirje me bandat kriminale, por i punësuar me “Rilindjen” në tetor të vitit 2013”, tha Basha.

Opozita është e bindur se prara oficerit të kapur të policisë janë pushtetarë të tjerë të lartë, sepse në këtë qeveri, siç thotë Lulzim Basha, pushteti është i veshur me krim dhe krimi është i veshur me pushtet.

“Po qeveria çfarë bën ndërkohë? Është në luftë me qytetarët. Është në luftë me të pamundurit. Është në luftë me besimtarët. Është në luftë me azilantët e dëshpëruar. Është në luftë me biznesin. Kjo qeveri, Edi Rama dhe Ilir Meta, janë ndërkohë në paqe me bandat. Janë në paqe dhe në bashkëpunim me kontrabandistët. Janë në paqe dhe në bashkëpunim me të inkriminuarit që i kanë sjellë në pushtet e në poste kyçe. Janë në paqe dhe në bashkëpunim me klientelën e tyre të korruptuar”, akuzon kreu i PD-së.

Megjithëse nuk përmendi protestat, Lulzim Basha u duk gati për veprime kundër qeverisë, e cila sipas tij u ka shpallur luftë qytetarëve.

“Partia Demokratike dhe unë, jemi në krye të thirrjes për ta ndalur qeverisjen e krizës, qeverisjen e krimit dhe korrupsionit. Ne kemi një plan për shpëtimin e vendit dhe bashkë me qytetarët shqiptarë do t’ia dalim”, shprehet Basha.

Top Channel