Europa do të hartojë listën e “vendeve të sigurta” për azil

26/08/2015 00:00

Komisioni Europian do të hartojë një listë të “vendeve të sigurta”, qytetarët e së cilës mund të kthehen në vendet e tyre me procedurë të përshpejtuar nëse aplikimi i tyre për azil dështon, ndërsa rajoni përpiqet të frenojë fluksin e emigrantëve. Lajmi jepet nga Politica.eu, e cila citon zv. Presidentin e parë të KE-së, Frans Timmermans.

Timmermans ka thënë për radion Europa 1 të martën se lista e vendeve ku të drejtat e njeriut janë të garantuara, e bën të vështirë për emigrantët nga këto vende të provojnë se janë në rrezik persekutimi nëse kthehen në shtëpi. Kjo listë mund të vendoset në fund të vitit, raporton Politico.eu. Ajo do të përfshijë disa vende të Ballkanit dhe të Afrikës.

Individë nga këto vende do të vijojnë të kenë të drejtën për të kërkuar azil, në bazë të shqyrtimit rast pas rasti.

Kthimi me procedurë të përshpejtuar është i nevojshëm, thotë Timmermans, pasi sistemi aktual në të cilën çdo anëtar i BE-së vendos se cilat vende konsideron të sigurta, ka dështuar për të frenuar vërshimin e emigrantëve në Europë.

“Për shembull në Gjermani, ka mjaft refugjatë që vijnë nga vendet e Ballkanit, vende të cilat janë kandidate për t’iu bashkuar Bashkimit Europian. Ne duhet të pranojmë që t’i kthejmë këta njerëz në shtëpitë e tyre, pasi nuk kanë të drejtën për azil”, thotë Timmermans.

Gjermania pritet të ketë numrin më të lartë të azilkërkuesve me 800 mijë këtë vit, që është më shumë se gjithë blloku prej 28 shtetesh vitin e kaluar. Përveç njerëzve që vijnë nga Lindja e Mesme, mijëra të tjerë po vijnë nga Ballkani.

Shqipëria dhe Kosova përbëjnë aktualisht 40% të aplikantëve për azil në Gjermani. Ato nuk janë ende në listën e vendeve të sigurta në Ballkan, edhe pse Serbia, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Maqedonia konsiderohen të sigurta, shkruan Politico.eu, duke vijuar më tej se disa politikanë gjermanë favorizojnë shtimin e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi në kategorië e vendeve të sigurta për të parandaluar fluksin e emigrantëve.

Të premten, protestat kundër emigrantëve u bënë të dhunshme para një qendre azili në Heidenau, afër Dresdenit në Gjermani. Kancelarja Angela Merkel, që foli vetëm tre ditë pas ngjarjes, tha të hënën: “Është e turpshme që mes njerëzve janë familje, dhe fëmijë”.

Merkel, në një konferencë të përbashkët me presidentin francez François Hollande në Berlin, bëri thirrje për veprim të BE-së për të trajtuar çështjen e emigrantëve. Ata ranë dakord se duhet të ketë qendra të regjistrimit në vendet ku emigrantët hyjnë në Europë, në Itali dhe Greqi.

Merkel, e cila viziton këtë të mërkurë qëndrën e azilit në Heidenau, tha se qendrat e regjistrimit do të kenë staf të BE-së dhe do të jenë operacionale në fund të vitit.

“Koha po kalon”, tha Merkel, “Shtetet anëtare të BE-së duhet të ndajnë kostot”. Merkel dhe Hollande bën thirrje dhe për një shpërndarje të barabartë të emigrantëve mes shteteve anëtare nëpërmjet sistemit detyrues të kuotave.

“Marrja e emigrantëve nuk është përgjegjësi e vetëm një shteti, por e të gjithë Europës”, tha Hollande.

Muajin e kaluar shtetet anëtare dështuan të arrijnë një marrëveshje për kuotat për të ndarë 40 mijë emigrantë. Pak më vonë, u angazhuan për të pranuar 32 mijë. Gjermania dhe Franca numërojnë më shumë se gjysma e këtij totali.

Timmermans paralajmëron se hapja e kufijve në tërësi “do t’i japë fund sistemit social europian”. Në të njëjtën kohë, ai tha se politika e përkrahur nga vende të tilla si Sllovakia, për të pranuar vetëm të krishterë, është e papranueshme.

“Ëshë e tmerrshme, e mbi të gjitha nuk je i krishterë të thuash se do të pranoj vetëm të krishterët”, tha ai.

Lidhur me idenë e listës së sigurtë, Timmermans është i bindur se shtetet e Ballkanit do të pranojnë rikthimin e qytetarëve të tyre, por thotë se do të jetë “edhe më e vështirë” me vendet afrikane. “Nëse veprojmë të gjithë bashkë”, tha ai, “unë shpresoj që këto vende të kuptojnë se është në interesin e tyre të sigurojnë rikthimin e qytetarëve të tyre”.

Top Channel