Reagimet e opozitës për Asociacionin e Komunave serbe

26/08/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje nuk përjashton as dhunën, si formë të kundërshtimit të funksionalizimit të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe, të nënshkruar në Bruksel.

Kështu u tha nga deputeti i kësaj lëvizjeje, Glauk Konjufca, i cili në një konferencë për mediat e vlerësoi si “tradhti kombëtare” nënshkrimin e marrëveshjes nga ana e kryeministrit, Isa Mustafa, dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi.

“Unë mendoj se e meriton termin e ‘tradhtisë kombëtare’, kjo çfarë kanë bërë Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, për arsye se kjo që është duke ndodhur është saktësisht ‘boshnjakëzimi’ i Kosovës. Neve nuk duhet të na mungojë guximi, që të mos zgjedhim mjete, madje kurrfarë mjeti për ta ndalur krijimin e Asociacionit të Komunave serbe, ku nuk përjashtohet as dhuna”, tha Glauk Konjufca, deputet i LVV.

Kjo lëvizje ka vlerësuar Asociacionin, si një autonomi politiko-territoriale të etnitetit serb brenda Kosovës. Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se, kryeministri ka hequr dorë nga Republika, duke lejuar krijimin e një tjetër shteti brenda shtetit.

“Asociacioni i Komunave me shumicë serbe, me territor të përcaktuar, me institucione të qartësuara mirë, do të funksionojë sikur të ishte një shtet i ndarë dhe do t’i ketë të gjitha atributet shtetërore, përveç ushtrisë në këtë rast, të cilën besa nuk e ka as Republika e Kosovës. I tërë rregulli institucional, territorial dhe politik përbrenda vendit po ndryshon, tashmë me vendim qeverie, pra pa pasur nevojë fare të pyetet Kuvendi i Republikës”, tha Visar Ymeri, kryetar i LVV.

Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka vlerësuar si shkelje mbi interesat e Kosovës, themelimin e një asociacioni të tillë, ndaj dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se do të formojnë një grup pune, për të gjetur mospërputhjet e marrëveshjes së nënshkruar me Kushtetutën e vendit.

“Aleanca shpreh kundërshtimin e saj për një marrëveshje të tillë, e cila në shumë përmasa rrezikon funksionimin e sovranitetit, të integritetit territorial, por edhe të shtetësisë së Kosovës. Thaçi dhe Mustafa kanë shkelur mbi interesat e Kosovës dhe institucionet, ndaj dhe populli i Kosovës duhet ta gjejë mënyrën t’i nxjerrë para drejtësisë këta njerëz, për të tilla vendime”, tha Ramush Haradinaj, AAK.

Top Channel