Nis punimet Samiti i Vjenës, Bushati: Ja çfarë synohet të arrihet

26/08/2015 00:00

Nën kujdesin e kancelarit austriak Faymann dhe kancelares gjermane, Merkel nisi në Vjenë samiti i dytë i vendeve ballkanike, ku në fokus do të jenë zhvillimi infrastrukturës në rajon, përfshi ato me karakter politik dhe të luftës kundër ekstremizmit, si dhe ato të emigracionit.

Samiti ka nisur në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, ku të gjithë ministrat e jashtëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si teme diskutimi kishin “mosmarrveshjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor drejt rrugës së anëtarësimit”.

Në një intervistë telefonike për Top Channel nga Vjena, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati jep detajet se çfarë është biseduar në këtë panel të parë drejtuar nga homologu austriak Sebastian Kurz.

“Një ndër temat që u la si detyrë do të ishte dhe shqyrtimi i një mekanizmi lehtësues përsa u përket çështjeve të hapura, mosmarrëveshjeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mosmarrëveshjeve ekzistuese mes vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kanë rezultuar një pengesë sa i përket procesit të integrimit europian dhe mbi të gjitha sa i përket transformimit të rajonit. Paneli diskutoi mbi një studim të punuar nga një grup ekspertësh dhe gjithashtu do të dilet me një deklaratë të përbashkët të të gjitha vendeve të rajonit që zotohen për të mos penguar dhe për të ndihmuar njëra-tjetrën në procesin e integrimit europian dhe për t’i mbajtur sa më larg mosmarrëveshjet dypalëshe në tryezën e procesit të integrimit europian”, deklaroi ministri Bushati.

Kreu i diplomacisë shqiptare thotë se vendet kanë arritur një marrëveshje për të mos penguar njëra-tjetrën në procesin e integrimit dhe vitin e ardhshëm, gjatë samitit që do të zhvillohet në Paris, do të paraqitet një raport progresi mbi tejkalimin e mosmarrëveshjeve mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Dita e dytë e samitit, mesditën e së enjtes, do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Europiane të Investimve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.

“Në nivel kryeministrash do të miratohet harta e ndërlidhjes së rajonit, zgjerimi i rrjeteve kryesore të infrastrukturës së BE-së edhe në vendet e Ballkanit, një lidhje më të integruar të ekonomive, një deklaratë e përbashkët për bashkëpunim në fushën rinore, një nismë shqiptaro-serbe me sekretariat në Tiranë dhe Beograd, si dhe do të vendosen piketat për mënyrën sesi do të zbatohen projektet infrastrukturore, duke i paraprirë samitit të ardhshëm”, thotë Bushati.

Samit i ardhshëm i vendeve të rajonit do të zhvillohet pas një viti në Paris, ku pritet të mbizotërojë çështja e energjisë.

Top Channel