KDI: Me Asociacionin krijohet nivel i tretë qeverisës

26/08/2015 00:00

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar me anë të një komunikate mbi marrëveshjen e arritur në Bruksel për Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe, duke thënë se shkon përtej lirisë së asociimit, sipas rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Ky Asociacion/Bashkësi nuk përbën një organizatë jo-qeveritare (OJQ) siç ishte paralajmëruar, por çon në një nivel të tretë qeverisës”. KDI rendit disa arsye, duke interpretuar në bazë të dokumentit të marrëveshjes.
 
– Ka mbikëqyrje të plotë në arsim (aktualisht përgjegjësi e Ministrisë së Arsimit) – Pika 4.b e Marrëveshjes

– Ka mbikëqyrje të plotë në përmirësim të shëndetësisë (aktualisht përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë) – Pika 4.c e Marrëveshjes;

– Ka mbikëqyrje të plotë në zhvillim ekonomik lokal (aktualisht përgjegjësi e komunave) – Pika 4.a;

– Ka mbikëqyrje të plotë në koordinim të planifikimit urban/rural (aktualisht përgjegjësi e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor) – Pika 4.e;

– I lejohet delegimi i kompetencave nga niveli qendror (aktualisht vetëm komunave u lejohet delegim i kompetencave) – Pika 5;

– I lejohet të iniciojë procedurë në Gjykatën Kushtetues (Me Kushtetutë, as komunës nuk i lejohet. Vetëm Presidenti, Qeveria, Avokati i Popullit dhe deputetë mund të iniciojnë çështje në Gjykatën Kushtetuese) – Pika 11.

Më tej në komunikatën e KDI-së, thuhet se “punonjësit e asosacionit do të jenë shërbyes civil, sipas Ligjit për Shërbimin Civil. Buxheti do t’i administrohet me ligjin për prokurimin publik (nuk është rasti për OJQ) dhe auditohet nga Auditori i Përgjithshëm, Financohet nga transferta  të qeverisë qendrore (pra vijë buxhetor të veçantë në buxhet të Kosovës dhe të garantuar)”.

Sipas KDI, ky entitet si është negociuar me këtë marrëveshje paraqet sfidë për shtetin sepse, “krijon entitet një-etnik dhe shkel parimet e shumë-etnicitetit, të garantuar me Kushtetutë; si dhe thellon ndarjet etnike në Kosovë; po ashtu, përbën një entitet që është suprem ndaj një etnie (serbe) kundër etnive tjera që jetojnë në Kosovë”.

Top Channel