Debate në Këshillin Bashkiak të Pogradecit, buxheti s’kalon në rend dite

26/08/2015 00:00

Pasi ka nisur punën zyrtarisht Këshilli Bashkiak i Pogradecit, në mbledhjen e tij të parë nuk ka mundur të shmangë ngërçet e krijuara mes këshilltarëve të dy kampeve politike.

Buxheti i bashkisë së re, i cili duhet të bashkohet në mënyrë mekanike për shkak të ndryshimeve të reformës territoriale, nuk është kaluar në rendin e ditës pas kundërshtisë së të majtëve.

Diskutimet rreth kësaj pike janë shoqëruar edhe me bojkotin e këshilltarëve të djathtë, ndërsa kreu i bashkisë së Pogradecit, Eduard Kapri, e ka konsideruar këtë si një qëndrim politik që paralizon punën për bashkinë e re.

Nga ana e tyre, këshilltarët e djathtë kanë  shprehur reagimin e tyre lidhur me mosshqyrtimin e kësaj pike në rendin e ditës, duke e konsideruar atë të pabazë dhe të qëllimtë.

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Pogradecit ka vijuar me rendin e ditës dhe vetëm me prezencën e këshilltarëve të majtë, të cilët kanë edhe shumicën e këtij këshilli.

Duke hedhur poshtë akuzat lidhur me këtë çështje, kryetarja e Këshillit ka sqaruar se kjo ka ardhur pasi këshilltarët kanë marrë dokumentacionin përkatës vetëm në mëngjes, pa pasur kohën e nevojshme për t’u njohur me materialin, ndërsa kanë treguar gatishmëri për t’u mbledhur edhe jashtë radhe për miratimin e buxhetit.

Këshilli Bashkiak i Pogradecit ka 31 këshilltarë, 21 nga koalicioni i majtë dhe 10 nga e djathta.

Top Channel