Mes avionit dhe shishes së konjakut zgjodhi këtë të fundit

26/08/2015 00:00

U paraqit në aeroport me një shishe konjak “Remy Martin” pa qenë në dijeni se pasagjerëve nuk u lejohej alkooli me vete në fluturim.

Vajza kineze, e identifikuar nga mediat vendase me emrin Zhao mendoi se zgjidhja më e mirë për të mos e çuar dëm shishen me pije alkoolike, ishte ta konsumonte atë.

Ashtu bëri! Zhao “e thau” shishen dhe nuk çoi dëm asnjë gllënjkë të saj, por me një kosto akoma më të madhe. Në fund të konsumit, vajza ishte aq e dehur sa autoritetet i ndaluan fluturimin.

“Atë s’e mbanin këmbët e veta. E çuam në një dhomë spitali në karrige me rrota që të pushonte dhe të rimerrte veten”, deklaroi policia për Bejing Times.

Pasi u zgjua dhe kur pija i kish dalë disi, vajza falenderoi forcat e policisë për ndihmën që i kishin dhënë, ndërkohë që u ndje e penduar për humbjen e fluturimit të saj.

Top Channel