Demarkacioni i Kosovës me Malin e Zi, banorët e Pejës në protestë

26/08/2015 00:00

Një grup banorësh të qytetit të Pejës kanë protestuar sot kundër nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, duke bllokuar për një orë magjistralen Pejë-Rozhajë.

Organizatori i kësaj proteste, Ali Lajçi, u bëri thirrje udhëheqësve të Republikës së Kosovës që të mos nënshkruanin asnjë marrëveshje me shtetin e Malit të Zi, pasi që me këtë, sipas tij, Kosova do të humbë rreth 12 mijë hektar tokë. Deklaratat u bënë para se të vinte lajmi i nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje në Vjene.

Përveç humbjeve në tokë që do t’i sjellë shtetit të Kosovës, sipas Lajçit, kjo marrëveshje do të sjellë edhe paqëndrueshmet mes dy vendeve.

Lajçi, gjithashtu shtoi se protesta do të ketë edhe në Prishtinë, si dhe në pika të tjera kufitare, deri sa të zbatohet marrëveshja sipas ligjit dhe Kushtetutës së vendit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e komunitetit po mundohen të sigurojnë 10 mijë nënshkrime nga qytetarët për t’ia dërguar Kuvendit të Kosovës, kundër ratifikimit të marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi.

Top Channel