Samiti i Vjenës, Rama: Të çelen negociatat e anëtarësimit me BE-në

26/08/2015 00:00

Forumi i Shoqërisë Civile mblodhi në kuadër të Samitit të Vjenës udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së për të diskutuar mbi sfidat e rajonit në rrugën e integrimit drejt Bashkimit Europian.

“Ne tani jemi në një moment ku duhet të kuptojmë qartësisht një gjë.  Ose të jemi të gjithë bashkë ose ne nuk do të mund t’ja arrijmë. Shikoni se çfarë është duke ndodhur me ata të cilët janë duke kërkuar azil. Ata janë duke ikur nga Serbia, Shqipëria, Maqedonia. Pra nga i gjithë Ballkani. Po përse? Të rinjtë nuk kanë kohë të presin për një dekadë tjetër, apo dy dekada pasi ne nuk jemi magjistarë. Ne nuk mund të bëjmë për ata tani, çfarë ata aspirojnë, shikojnë nga ajo çfarë modeli gjerman ofron, apo nga çfarë shikojnë në televizor për Europën. Prandaj ne duhet të punojmë bashkarisht dhe se procesi nisur në Berlin ka qenë fantastik pasi ne kemi qenë bashkë përpara një viti gjë që s’mundëm ta bëjmë për shumë vite. Ja ku jam sot me Aleksandrin, kryeministrin e Serbisë dhe kjo nuk është më histori, është dicka rutinë dhe askushi nesër nuk do të thotë që ne u takuam. Askushi nuk do të pyes si u takuam apo nëse na lëvizën apo jo qepallat e syve kur ishim ballpërballë, por do të thonë se çfarë ne arritëm nga ky takim dhe çfarë shtese do t’u vij qytetarëve tanë në xhepat e tyre, apo thjesht ishte një qëllim i mirë. Prandaj dua ta theksoj se Ballkani ka nevojë për një qasje strategjike nga Europa. Nëse një vit më parë, qartësisht ne politikisht e morëm këtë nga Europa, tani ajo duhet të jetë financiare”, tha Rama.

Mesazhi i Ramës ishte i drejtpërdrejtë për BE-në kur tha se “Shqipëria nuk mund të jetë pambarimisht vend kandidat”.

“Ne tani jemi vend kandidat për në BE, që do të thotë se është njësoj si të thuash se “unë dua të martohem, por askushi deri më tani nuk është gati të martohet me mua”. Ne duhet të shkojmë përpara  dhe prandaj duhet të çelen negociatat për anëtarësim në BE sepse kështu mund t’u themi njerëzve se vendi ynë është në Europë , Europa ka rregulla dhe ne duhet të veprojmë sipas tyre, por në të njëjtën kohë të zbatosh rregullat nuk do të thotë të na mbash ne nën frustrim dhe izolim. Duke zbatuar rregullat do të na bëjë ne lojtarë të një fushe më të madhe. E përmenda fushën përpara ndeshjes së futbollit”, deklaroi Rama.

Më herët, në fjalën e hapjes që mbajti Komisioneri i Zgjermit, Johannes Hahn, vuri theksin tek rëndësia e bashkëpunimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor për realizimin e objektivit të tyre të përbashkët; integrimin.

“E rëndësishme është që të arrihen standardet e BE-së. Duhet të kemi objektiva të përbashkëta dhe të punojmë bashkarisht me këto objektiva. Duhet të krijohen lehtësi për të rinjtë dhe të mendojmë sesi të përmirësojmë gjendjen e tyre sociale dhe ekonomike”, tha Hahn.

Nga ana tij, Aleksandar Vuçiç u ndal tek përmirësimi i klimës në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe për këtë pati një falenderim për homologun e tij shqiptar.

“Nuk kemi pasur tensione mes serbëve dhe shqiptarëve dhe për këtë i jam mirënjohës Ramës pasi ka mbështetur uljen e tensioneve”, u shpreh ai.

Gjatë takimit u promovua  gjithashtu marrëveshja për hapjen e zyrës së bashkëpunimit rinor rajonal, nismë e ndërmarrë nga kryeministrat Rama dhe Vuçiç.

Dita e dytë e samitit, mesditën e së enjtes, do të nisë me diskutimet për ndërtimin e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, ku në panel do të jenë kryeministri Rama, ai serb Vuçiç, komisioneri i Bankës Europiane të Investimve, Hoyer, komisioneri Hahn dhe presidenti Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Chakrabati.

Top Channel