Siri, vritet me dron “hacker”-i britanik i ISIS

27/08/2015 00:00

“Hacker”-i britanik, për të cilin zyrtarët amerikanë dhe europianë deklaruan se është bërë eksperti kibernetik numër një për Shtetin islamik në Siri, është vrarë gjatë një sulmi me dron të ndërmarrë nga Shtetet e Bashkuara.

Britaniku Junaid Hussain mendohet se është vrarë në afërsi të qytetit sirian, Raqqa. Departamenti amerikan i Mbrojtjes ende nuk është deklaruar zyrtarisht në lidhje me këtë rast.

Hussain, 21-vjeç që jetonte në Birmingam, kishte lëvizur shpesh drejt Sirisë në dy vitet e fundit. Ai është përgjegjës për sulmet kibernetike ndaj disa llogarive online të Pentagonit.

Megjithëse disa ekspertë për siguri kibernetike dyshojnë se Hussain dhe “hacker”-ët e tjerë të ISIS kanë aftësitë për të shkaktuar ndonjë dëm të madh, zyrtarët amerikanë kishin deklaruar se po shndërrohet në një kërcënim serioz.

Në vitin 2012, 21-vjeçari ishte arrestuar dhe dënuar me 6 muaj burg për shkak se kishte “hack”-uar njërën prej llogarive online të ish-kryeministrit Tony Blair, që mirëmbahej nga njëri prej këshilltarëve të ish-kreut laburist.

Top Channel