Frikë nga rikthimi i masës tumorale? Bëni analizat e gjakut!

27/08/2015 00:00

Një analizë gjaku mund të rezultojë si shpëtimtare e jetës së njeriut, duke gjetur gjurmë të një tumori që mund të ketë rifilluar të rritet, edhe pas një trajtimi të kryer më herët për eliminimin e masës tumorale.

Lajmi vjen nga një studim i shkencëtarëve të Institutit të Kërkimeve për Kancerin në Londër, të cilët gjetën gjurmë të kancerit të gjirit 8 muaj para se mjekët të mund ta vërenin diçka të tillë në kushte normale.

Gjatë këtij procesi, testimi zbuloi gjurmë tumorale në 12 nga 15 gratë e nënshtruara studimit, të cilave u ishte ripërsëritur sëmundja.

Ekspertët thonë se ka ende shumë rrugë për të bërë në këtë studim, përpara se ky lloj testimi të përdoret nëpër spitale. Operacionet kirurgjikale për të hequr një masë tumorale janë një prej trajtimeve bazë kundër kancerit.

Gjithsesi, një masë e tillë mund të rilindë qoftë edhe nga një qelizë e vetme kanceroze, nëse pjesë të tumorit do të jenë përhapur edhe në ndonjë pjesë tjetër të trupit, apo nëse operacioni nuk e ka hequr tërësisht atë.

Top Channel