Kur “dy kunguj nën një sqetull” nuk mund të mbahen…

27/08/2015 00:00

Një drejtues autobusi, i cili është shkarkuar nga puna pasi ishte duke ngarë mjetin me 100 km/h në një autostradë të Irlandës dhe duke përdorur një iPad njëkohësisht, humbi në pretendimin e tij për një shkarkim të padrejtë.

Sean Purcell është regjistruar nga kamerat e vendosura në autostradë teksa kishte hequr të dyja duart nga timoni i një autobusi dykatësh “Aircoach”, në mënyrë që të mund të merrte iPadin e tij që e kishte disi larg, më 22 korrik 2013.

Ai paditi për shkarkim të padrejtë punëdhënësin e tij në Tribunalin e Apeleve të Punësimit, pasi ishte larguar nga puna. Por vendimi i drejtësisë ishte në favor të kompanisë, duke theksuar se ajo kishte vepruar në mënyrën më të drejtë të mundshme bazuar në faktet.

Ndër të tjera, thuhet se autobusi që po udhëtonte me 100 km/h ishte bosh dhe ndodhej në autostradën M50 në momentin e kapjes nga kamerat. Por nga regjistrimet rezultoi se Purcell i kishte hequr duart nga timoni edhe në dy apo 3 raste të tjera gjatë udhëtimit.

Në momentin e aktivizimit të iPadit të tij, ai po e drejtonte mjetin duke vendosur brrylin mbi timon. Edhe pse nuk kishte pasagjerë në autobus, rasti më i frikshëm është cilësuar ai kur timoni po drejtohej me një dorë dhe me dorën tjetër, shoferi po dëgjonte muzikë nga iPadi i vendosur pranë veshit.

E gjithë ngjarja ka ndodhur falë një motoristi, i cili kishte vënë re Purcellin duke përdorur iPad gjatë drejtimit të automjetit, e që më pas kishte kontaktuar kompaninë “Aircoach” për t’u ankuar.

Top Channel