Vrasja e gazetarëve, për racizëm. Autori i kishte denoncuar disa herë kolegët

27/08/2015 00:00

Zemërimi ndaj komenteve raciste dhe bullizmit në vendin e punës citohen si arsyet, që e shtynë Vester Flanaganin të qëllonte për vdekje dy ish-kolegë të medias, teksa ishin në transmetim të drejtpërdrejtë.

41-vjeçari do ta drejtonte më vonë armën nga vetja, e prej plagëve të marra do të jepte shpirt në spital. Episodi, i ndodhur në jugperëndim të shtetit amerikan të Virxhinias, tronditi opinionin publik në mbarë vendin e jashtë tij.

Flanagan, ish-punonjës i stacionit televiziv ku punonin reporterja 24-vjeçare Alison Parker dhe kameramani Adam Ward, 27 vjeç, kishte postuar pak pas sulmit në Twitter e Facebook pamjet e ngjarjes, që ai vetë kishte filmuar. Ai i shoqëronte pamjet me komente që u referoheshin konflikteve të tij me Ward në vendin e punës, si dhe ofendimeve raciste të Parkerit.

Kundër kësaj të fundit kishte depozituar edhe një ankesë në komisionin e mundësive të barabarta të punësimit. Flanagan, që në televizion përdorte emrin Bruce Williams, pretendon se WDBJ e punësoi 24-vjeçaren, pavarësisht akuzave ndaj saj për komente me sfond racist. Stacioni në fjalë përfundoi duke pezulluar vetë Flanaganin.

Në një faks të derguar po pak pas ngjarjes, në redaksinë e “ABC News”, 41-vjeçari e përshkruante veten si “një fuçi njerëzore baruti” e tregon sesi është diskriminuar pa fund, për shkak se ishte me ngjyrë dhe gay.

Në incident mbeti e plagosur gruaja që po intervistohej, Vicki Gardner, presidente e një Dhome Rajonale të Tregtisë. Shtëpia e Bardhë reagoi pas episodit të rëndë, duke thënë se kjo ngjarje evidenton edhe një herë nevojën për një kontroll më të madh mbi armët në vend.

Top Channel