Champions League, UEFA rrit shpërblimet

27/08/2015 00:00

UEFA këtë sezon do të rrisë fondin e përcaktuar në formën e shpërblimeve për skuadrat pjesëmarrëse në Ligën e Kampioneve. Qeveria e futbollit evropian ka miratuar planin për rritjen e këtij fondi për 3 sezonet e ardhshme me 25.4% ose e thënë në shifra në 1.257 miliardë euro.

Ajo që të bie në sy është se rritja më e madhe është ajo e shpërblimeve fikse. Kështu, një klub do të përfitojë 12 milionë euro për pjesëmarrjen në fazën e grupeve, nga 8.6 milionë që ishte në fillim. Për çdo fitore, shëprblimi do të jetë 1.5 milionë euro, 5.5 milionë është përfitimi për kalimin në 1/8 e finaleve, ndërsa për kalimin në çerekfinale klubet do të shpërblehen me 6 milionë euro.

Klubet që do të kalojnë në gjysmëfinale do shpërblehen me 7 milionë euro, për kalimin në finale çmimi është 10.5 milionë, ndërsa skuadra që do të fitojë titullin në fund do të marrë edhe 15 milionë euro.

Fitimi final do të varet edhe nga marketingu, vlera e të drejtave televizive të çdo vendi e çdo klubi.

Top Channel