Ukrainë, paqe me separatistët nga 1 shtatori. 7 të vrarë e 13 të plagosur në 24 orët e fundit

27/08/2015 00:00

Gjatë një takimi të grupit të kontaktit në Ukrainë, është arritur një marrëveshje që, në shenjë mbështetjeje ndaj armëpushimit të brishtë, t’u jepet fund të gjitha shkeljeve të tij deri më 1 shtator.

Si Kievi, ashtu edhe separatistët prorusë kanë rënë dakord mbi këtë datë, pasi shënon nisjen e sezonit të ri shkollor. Të dyja palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për rritjen e përplasjeve sporadike dhe bombardimeve.

Duke folur në emër të grupit të kontaktit, përfaqësuesi i OSBE-së, Martin Sajdik, shprehu shqetësimin e tij të thellë për faktin sesa të tmerrshme kanë qenë shkeljet e herëpashershme të marrëveshjes së Minskut të muajit shkurt.

Por, takimi i së mërkurës duket se i ka bërë të gjitha palët bashkë, përfshi edhe një prej udhëheqësve separatistë të Luhanskut.

Vladislav Deinego tha se “është arritur një propozim më domethënës dhe më i balancuar gjatë këtyre bisedimeve, që të çon në ndaljen e plotë të bombardimeve dhe të shtënave më 1 shtator. Ky propozim mori një përgjigje pozitive në praktikë nga të gjitha palët, ndaj dhe kemi shpresë që duke nisur nga 1 shtatori të mund të ndalet e gjithë kjo rrëmujë”.

Franca dhe Gjermania vijojnë nxitjen e tyre për paqe në Ukrainë. Që prej muajit shkurt, të gjitha palët e përfshira në konflikt supozohen të jenë duke punuar drejt një procesi politik paqeje. Për këtë shkak, Presidenti ukrainas Petro Poroshenko pritet të takohet edhe me Presidentin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker.

E pavarësisht këtij optimizmi, ushtria ukraina ka bërë të ditur këtë të enjte se 7 ushtarë kanë mbetur të vrarë dhe 13 të tjerë të plagosur, gjatë luftimeve me separatistët prorusë gjatë 24 orëve të fundit. Lajmi është dhënë nga zëdhënësi Oleksander Motuzyanyk.

Ky sulm ka shënuar edhe ditën më të përgjakshme në radhët e ushtrisë ukrainase që prej mesit të muajit korrik, në një kohë kur dhuna vijon të testojë marrëveshjen 6-mujore të armëpushimit.

Top Channel