Asociacioni, avokati Pallaska: Fillesa e një “Republike serbe” në Kosovë

27/08/2015 00:00

Asociacioni i Komunave me shumicë serbe paraqet fillimet e një krijese juridike në rendin kushtetues të Kosovës, që nënkupton njësinë e tretë të qeverisjes, krahas pushtetit lokal dhe atij qendror.

Ky është vlerësimi i juristit kosovar, Dastid Pallaska, i cili i ka bërë një analizë të detajuar 22 pikave të marrëveshjes së arritur të martën në Bruksel, i cili gjithashtu sheh rrezikun e krijimit të një “Republike serbe” sikurse në Bosnje.

“Jam i shokuar me faktin, që bashkësia ndërkombëtare pranon një kërkesë të tillë, tani në këtë vit, kur mbushen 20 vite nga marrëveshja e Dejtonit, teksa është pikërisht kjo bashkësi ndërkombëtare, që po përpiqet ta shthurë një krijesë të ngjajshme, e cila është krijuar në Bosnje-Hercegovinë”, tha Dastid Pallaska, avokat.

Ndonëse qeveria ka qenë e mbyllur për të sqaruar pikat e marrëveshjes, paradoksi ligjor dhe kushtetues – sipas Pallaskës, – qëndron që në pikën e dytë, në të cilën paralajmërohet ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës për ta përshtatur funksionimin e asociacionit.

Në këtë pikë thuhet se, qeveria do të aprovojë një dekret që zbatohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, i cili do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetutese. Asociacioni do të jetë entitet legal i përcaktuar nga statuti i tij.

“Nëse shohim Kushtetutën e Kosovës, ajo parashikon rregulla specifike se kur një lëndë mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Zakonisht lëndët që shkojnë në Kushtetuese referohen nga palët, që pretendojnë se ka shkelje kushtetutese. I vetmi rast kur një çështje shkon në Gjykatën Kushtetuese, pa u sfiduar nga palët e autorizuara, është kur kemi të bëjmë me kontroll parandalues të Kushtetutës, nismë që ndërmerret në rastet kur ndryshohet Kushtetuta”, tha Dastid Pallaska.

Asociacioni do të përbëhet nga organet e veta si Kuvendi, që do të jetë trupa supreme; Presidenti dhe zëvendëspresidenti, të cilët do ta përfaqësojnë asociacionin pranë autoriteteve qendrore dhe jashtë Kosovës; një këshill me 30 anëtarë nga banorët e komunave pjesëmarrëse; një bord po kështu i përbërë nga 7 anëtarë, natyrisht të komunitetit serb.

Dhe këta, të gjithë së bashku do të kujdesen për qytetarët e komunave me shumicë serbe, ashtu siç parashikohet në pikën 4 të marrëveshjes, e cila thotë se asociacioni do të ketë si objektiva kryesorë, ofrimin e funksioneve dhe shërbimeve publike për zhvillimin e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban e rural, përfshirë edhe aprovimin e masave për përmirësimin e kushteve të jetesës për të kthyerit në Kosovë.

Kjo pikë, sipas avokatit Pallaska, nënkupton që asociacioni ka fituar të drejtën të ushtrojë kompetencat bazë, që në fakt do të duhej t’i ushtronin vetë komunat.

“Problemi kryesor i kësaj marrëveshjeje është se, komunave me shumicë serbe iu është mundësuar ushtrimi kolektiv i kompetencave të komunave. Kjo është bërë në pikën 4 të marrëveshjes, ku janë identifikuar objektivat e asociacionit, e ku i është dhënë autorizimi të ketë një mbikëqyrje të përgjithshme të kompetencave bazë të komunave. Edhe pse fjala e përdorur në këtë marrëveshje është qëllimisht e dykuptimtë, që të ketë një vështrim të përgjithshëm, folja që është përdorur përpara kësaj fjale është ‘ushtroj’ dhe kjo nënkupton ushtrimin e komptencave mbikëqyrëse ndaj komunave me shumicë serbe”, tha Dastid Pallaska.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të identifikohet me stemën dhe flamurin, që – siç thuhet në marrëveshje, – do të vendosen në përputhje me ligjet e Kosovës.

Përveç organeve udhëheqëse, asociacioni do të ketë edhe një administratë, e cila do të jetë e udhëhequr nga shefi i saj, ndërsa – siç thuhet në marrëveshje, – stafi i administratës do të përfitojë nga statusi i të punësuarve në përputhje me ligjet e Kosovës, konkretisht ligjin e punës dhe atë të shërbimit civil. Janë anëtarët e Asociacionit, pra komunat me shumicë serbe, që do të vendosin për numrin e të punësuarve. Të drejtat e ligjit për shërbyesit civilë – sipas Dastid Pallaskës, – i gëzojnë vetëm punonjësit e administratës shtetërore.

“Karakteri shtetëror konfirmohet më shumë dhe nga fakti, që atij i është dhënë e drejta të propozojë ligje, që kanë të bëjnë me mandatin, statutin dhe të drejtat e tij. Dhe për më keq, asociacionit i është njohur e drejta e subjektivitetit juridik, për të paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për t’i mbrojtur këto të drejta dhe privilegje kushtetuese. Kjo e drejtë u njihet vetëm subjekteve të pushtetit, siç janë komunat, dhe degët e pushtetit në nivelin qendror, siç janë Qeveria, Presidenca dhe Kuvendi. Këto janë vetëm fillesat e një krijese shtetërore, që po ndërtohet në Kosovë, e cila do të përdoret apo keqpërdoret nga fqinji ynë verior, për ta penguar konsolidimin e shtetit të Kosovës”, tha Dastid Pallaska.

Sa i përket shpërbërjes së gjithë kësaj, mund të bëhet vetëm me vendim të Kuvendit të Asociacionit, të miratuar me shumicën e 2/3-ave të anëtarëve. Asociacioni i Komunave me shumicë serbe do të jetë funksional pas aprovimit të statutit, që si dokument parashikohet t’u marrë palëve rreth 4 muaj kohë.

Top Channel