Nish-Prishtinë-Durrës, takohen në Vjenë Rama-Vuçiç-Mustafa: BE të na mbështesë

27/08/2015 00:00

Tre kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës zhvilluan në Vjenë, në kuadër të Samitit Ballkanik, një takim koordinativ ku u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës.

Në këtë takim morën pjesë edhe drejtuesit e BERZH dhe Bankës Europiane për Investim, si edhe ministri i Jashtëm austriak, Kurz, dhe Komisioneri Hahn.

Kryeministri Rama theksoi se te projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish-Prishtinë-Durrës, qoftë autostrada Adriatiko-Joniane, janë projekte europiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërtimi i këtyre dy projekteve – ka theksuar Rama, – duhet të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Europian dhe institucioneve financiare si e BERZH dhe BEI.

Kryeministri Vuçiç, duke theksuar rëndësinë e autostradës Nish-Prishtinë-Durrës, tha se falë këtij projekti Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tre orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë.

Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Europian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave.

Top Channel