Vetëvendosje, aksion simbolik kundër marrëveshjes mbi Asociacionin

27/08/2015 00:00

Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Aktivistët improvizuan ndërtimin e një muri, ku ishte vizatuar harta e Kosovës, anash të cilit rrinin dy aktivistë të maskuar si kryeministri, Isa Mustafa, dhe zëvendësi i tij, Hashim Thaçi.

Pas pak minutash erdhi një tjetër aktivist, i maskuar si kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, i cili theu hartën e Kosovës me anë të një guri, ku shkruhej “Zajednica”, siç e quan Asociacionin e Komunave serbe lëvizja Vetëvendosje.

Pas aksionit, aktivisti i Vetëvendosjes, Valdrin Ahmeti tha se, qëllimi i tij ishte të tregohej se çfarë do t’i ndodhë Kosovës, nëse lejohet funksionalizimi i Asociacionit të Komunave serbe.

“Me këtë marrëveshje të nënshkruar, shkatërrimi dhe defunksionalizimi i Kosovës i mbetet në dorë pasardhësit të Sheshelit në politikë, pra Vuçiçit, gjithnjë duke u ndihmuar nga Thaçi dhe Mustafa, ashtu siç edhe u paraqit në aksionin performues. Aksionet do të vazhdojnë duke u përshkallëzuar deri në protesta e demonstrata”, tha Valdrin Ahmeti, aktivist i LVV.

Aksioni përfundoi në mënyrë të qetë, ndërkohë që rreth ndërtesës së qeverisë pati pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Top Channel