Mbyllet Samiti ballkanik i Vjenës. Deklarata e përbashkët përqëndrohet te rinia

27/08/2015 00:00

Edhe pse kriza e emigrantëve flet për një realitet pesimist të Europës, Samiti i Vjenës me liderët e Ballkanit Perëndimor dha një dritë jeshile për rajonin tonë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel përsëriti mbështetjen e Unionit lidhur me perspektivën e vendeve të rajonit të Ballkanit. Sipas saj, marrëveshjet e fundit midis Serbisë dhe Kosovës për procesin e normalizimit, janë një shtyllë e fortë e cila ka rritur besueshmërinë për një të ardhme më të mirë mes vendeve.  

Merkel, gjithashtu shtoi se liderët e Ballkanit Perëndimor, tashmë kanë ndryshuar qëndrimet përkatëse dhe me shumë gjasë në vazhdim ata do të takohen me njëri-tjetrin pa ndërmjetësues, duke rezultuar në hapa konkretë të cilët përfaqësojnë shpresë të re për të gjithë.  

Me rëndësi për kancelaren gjermane janë edhe projektet e miratuara për infrastrukturën e Ballkanit, të cilat krahas zhvillimit që do të sjellin, do të hapin vende të reja pune duke ulur ndoshta edhe  problemin madhor rajonal të papunësisë, i cili ka rezultuar të ishte faktori kryesor që i ka shtyrë shtetasit e këtyre vendeve për të kërkuar azil në Perëndim.

Lidhur me këtë çështje, zv/kancelari austriak deklaroi për një dakordësi të arritur se BE do të japë 600 milionë euro për projektin rajonal të infrastrukturës gjatë viteve të ardhshme.

Ndër projektet e përmendura në këtë takim ishin autostrada që lidh Nishin në Serbi, me qytetin bregdetar të Durrësit deri në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Po ashtu edhe rikonstruksioni i linjës hekurudhore mes kryeqytetit serb dhe boshnjak, Beogradit dhe Sarajevës.

Pjesë e rëndësishme e diskutimeve ishte edhe fluksi masiv i refugjatëve të Lindjes së Mesme, të cilët e konsiderojnë Ballkanin si tranzit për të arritur në Perëndim. Deri më tani numërohen 102 mijë persona të cilët e kanë zhvilluar  këtë intinerar.

Kancelarja Merkel e pohoi se numri i tyre është edhe më i madh se sa pas Luftës së Dytë Botërore dhe theksoi se njerëzit, jeta e të cilëve u rrezikohet, kanë nevojë të mbrohen, duke shprehur edhe ndihmë për Ballkanin Perëndimor që të kapërcejë krizën e refugjatëve.

Samiti i Vjenës është pjesë e një projekti të qeverisë së Berlinit, i cili ka si qëllim kryesor angazhimin e BE-së për zgjerim, ku këtë herë fokusi i tyre ishte shtysa për Shqipërinë, Bosnjën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e  Zi dhe Serbinë që të anëtarësohen në Union.

FOTO GALERI
1/2
Foto nga mbyllja e Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor

Top Channel