Të dhënat e INSTAT, pagat e administratës me rritjen më të ulët në 15 vite

27/08/2015 00:00

Kohë të vështira kanë ardhur për punonjësit e administratës. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i Statistikave (INSTAT) tregojnë se, vitin e kaluar, paga reale në sektorin shtetëror shënoi rritjen më të ulët të 15 viteve të fundit.

Sipas INSTAT, në vitin 2014, pagat e punonjësve të shtetit u rritën në vlerë me 1.7 për qind, krahasuar me një vit më parë. Por për të njëjtën periudhë, çmimet mesatare në treg, të shprehura me normën e inflacionit, u rritën me 1.6 për qind. Kjo ka bërë që vitin e kaluar, pagat reale të punonjësve të shtetit të rriten me vetëm 0.1 për qind, duke qenë gati në stanjacion.

Të dhënat historike të vetë INSTAT-it tregojnë se, kjo është rritja më e ulët e pagave në shtet që nga viti 2000, kohë në të cilën Instituti i Statistikave ka filluar të masë këtë tregues. Në 14 vitet e mëparshme, pagat reale janë rritur nga 3 deri në 17.7 për qind në vit.

Por, të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se, stanjacioni i pagave në sektorin shtetëror është shoqëruar edhe me rënien e tyre në sektorin privat. Sipas Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, pagat në sektorin privat ranë me 5 për qind në terma reale.

Në ekonominë shqiptare, pagat përbëjnë burimin më të madh të të ardhurave. Sipas Bankës Botërore, aktualisht pagat sigurojnë mbi  50 për qind të totalit të të ardhurave për familjet. Ndrydhja apo stanjacioni i tyre tregon se, viti i kaluar ka qenë i vështirë, veçanërisht për ato familje, të cilat kanë si burim të vetëm jetese të ardhurat nga puna.

Top Channel