Pakoja e re fiskale në Kosovë, Qeveria mbledh përfaqësuesit e biznesit dhe palët e interesit

27/08/2015 00:00

Pak ditë para se të hyjë në fuqi pakoja e re fiskale, Qeveria e Kosovës mbledh edhe njëherë përfaqësuesit e biznesit dhe palët e tjera të interesit për t’i diskutuar ndryshimet që do të ndodhin.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti rikujtoi se ndryshimet prekin ligje të rëndësishme, të cilat parashohin heqjen e TVSH-së për makineri prodhuese, lëndën e parë dhe për teknologji informative.

Po kështu, do të ketë një përgjysmim të TVSH-së për produktet bazë, përfshi shërbimet publike nga 16 në 8 përqind dhe një rritje në 18 përqind për produktet e tjera. Ministri Hoti u fokusua te lirimet tatimore që parashihen me ligjin për të ardhurat e korporatave, por për to tha se do të zhvillohet edhe një tryezë e veçantë.

“Kjo është pikë shumë e ndjeshme, këto lirime tatimore janë të rëndësishme edhe nga aspekti fiskal i të ardhurave buxhetore. Por edhe nga këndvështrimi i bizneseve, për të definuar për sa vlejnë këto lirime, sa është niveli investimeve për të cila ne i lirojmë kompanitë, nga tatimi në fitim, sa është numri i punëtorëve që ne kërkojmë që ata të punësojnë, cilët janë ata sektorë që ne dëshirojmë t’i japim prioritet në vitin e parë e të dytë…Do i japim sot idetë për ta finalizuar këtë çështje shumë të ndjeshme gjatë muajit shtator”, shprehet ministri i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti.

Oda Ekonomike amerikane shprehu bindjen se ndryshimet e reja në legjislacion do të shënojnë progres në ambientin e të bërit biznes në Kosovë dhe do të ndikojnë, mes të tjerash, në rritjen e investimeve vendore dhe të huaja.

“Dua t’i përmend vetëm disa çështje, të cilat kanë ndikim më të madh, trajtimi i borxheve të këqija që do të trajtohet në tri ligjet tatimore në mënyrën e njejtë, trajnimet e punëtorëve, kontributet bamirëse, pushimet tatimore në rastin e investimeve, lirimet në import, etj”, thotë Ruzhdi Zeqiri, përfaqësues i Odës Ekonomike amerikane.

Përfaqësuesi i Odës Ekonomike amerikane po kështu kërkoi nga Administrata Tatimore që të paktën deri në fund të këtij viti, për të gjitha ndryshimet dhe paqartësitë që mund t’i kenë tatimpaguesit, të mos aplikohen masa ndëshkuese. Nga ana e tij, drejtori i Administratës Tatimore tha se ky institucion është i përgatitur që të fillojë me zbatimin e reformës fiskale nga muaji shtator.

Top Channel