E kreu dhe kësaj radhe Janullatosi “mjekërbardhë”

27/08/2015 00:00

MONIKA SHOSHORI STAFA – Sa pa kuptim e kishte kaluar jetën Demir Hani? A ia vlen të vdesësh për t’i kthyer njerëzit nga Jezu Krishti te Muhamedi dhe anasjelltas? Dy profetët ishin në qiell, njëri me një gotë qumësht e tjetri me një gotë verë, ndërsa shqiptarët grinden se gota e cilit prej të dyve zbrazet e para. Grinden, sepse u mungon dikush, dikush prej mishi e kocke, dikush që të mund t’i drejtojë dhe që ata ta shohin me sy dhe ta prekin me dorë.

Ben Blushi, “Të jetosh në ishull”

E kryen edhe këtë herë. Me zhurmë a jo, por e kryen. Arritën tej halleve të tyre të shkundin sërish fshatin e vogël, me ca banorë që mezi presin të arrijë gushti që të hyjnë në ekrane. Por kësaj here e teproi fqinji vërtet. Dhe teprimi është shprehje e diletantizmit ose, përndryshe, e parodisë. Vetëtimthi në mendje më shkoi ky mendim duke përcjellë për të njëzetën herë a më shumë njoftimet e ditës më të fundme për kishën e vogël të Dhërmiut, kishën e Shën Thanasit. Por a ka ndalje ky milet? Kur do të mund të thotë njëherë të vetme, ik tani në shtëpinë tënde, se ky mur këtu është shtëpia ime? Kur do të përshëndetet me fqinjin si atij i ka hije dhe dinjitet? Po çfarë pune ka kisha autoqefale e Janullatosit të shkojë të ankohet deri në presidencën e vendit fqinj për një kishëz të vogël shqiptare me misionarë arbëreshë që në kohën e Venedikut? Po Ciprasit vetë i shkon dot në mendje të merret me kishën e harruar në anën tjetër të kufirit, tani që ai ka dhënë dorëheqjen dhe kur Greqia duket tërësisht e dorëzuar edhe para kapriçios së vet të 5 korrikut? Një ngjarje gushti me demek, po aq e rëndomtë sa dhjetëra e dhjetëra të ngjashme që ndodhin tashmë rregullisht gjatë “muajve të ferrit”, siç quhen prej vitesh korriku dhe gushti. Dhe si është parë dhe herë të tjera, u kry. U kry që kjo ngjarje të kthehej në çështje më vete, kombëtare dhe ndërkombëtare, etnike e ndëretnike, politike e diplomatike, qeverisëse e joqeverisëse. Aq shumë personalitete e zëdhënës u ngritën më këmbë për të denoncuar këtë ndodhi në kishën e Dhërmiut, saqë njeriut nuk i mbetet gjë tjetër veçse të dyshojë mbi një të vërtetë të shenjtë, mbi të vërtetën biblike.

***

Kisha e Shën Thanasit është vetëm njëra prej afro 40 kishave që ka Dhërmiu. Është më shumë se një kishë, është një faltore misionare.

Shqipëria është konsideruar “tokë misioni” nga Selia e Shenjtë, edhe për faktin se prej saj kanë kërkuar mbrojtje jo vetëm të krishterët romanë, po dhe ata bizantinë. Letra e parë e kapedanëve të Himarës drejtuar për ndihmë Selisë së Shenjtë është e vitit 1577. Asnjëherë nuk u ndërpre orientimi properëndimor i kësaj krahine kryengritëse. Nuk është e rastit që këta misionarë arbëreshë erdhën në Himarë në fund të shekullit XVII e më pas. Kjo është koha kur në krye të Selisë së Shenjtë vjen Papa Clemente XI, i mbiquajtur Albani. Murgjit bazilianë, Kuvendi i Arbënit dhe Illyricum Sacrum kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me këtë personalitet. Uniatizmi nuk është një dukuri vetëm shqiptare. Uniate është dhe kisha greke në Italinë e Jugut. Misionarët e parë uniatë në Himarë kanë qenë grekë, si Neofit Rodinoi. Kisha e Shën Thanasit është pjesë e historisë kishtare të Shqipërisë, po dhe e historisë kulturore e kombëtare të saj.

***

Shenjtëria e kishës dhe shenjtëria e gurëve të kujtesës nuk mund t’i kundërvihen njëra-tjetrës. Monumentet historike kanë të gjitha një përmasë të dyfishtë kohore. Ato ndihmojnë në njohjen e epokës, ndërsa janë të lidhura pazgjidhshëm edhe me periudhën historike kur kanë jetuar “heronjtë” e tyre. Nilo Catalano është vetëm një prej tyre. Por si e quajnë, Nilo Catalano nuk ishte një murg, por një monsinjor. Ai ishte arkipeshkëv i Durrësit dhe vizitator apostolik i Himarës. Emërimi i tij u bë nga Selia e Shenjtë. Kushdo që të kishte pasur bekim trupin e tij, do ta kishte shenjtëruar. Shënimet misionare të tij ishin në vazhdën e një pune të gjatë kërkimore që synonte jo vetëm të nderonte kujtimin e murgjve bazilianë në Shqipëri, por mbi të gjitha të theksonte vijimësinë e letërsisë ungjillore që u zhvillua në trojet ballkanike. Qëllimi i epërm nuk u kufizua vetëm me mbrojtjen e identitetit fetar të arbëreshëve, por shkoi dhe më larg, duke i dhënë udhë me largpamësi ëndrrës për t’i rikthyer një populli gjithë sensin e historisë, vetëdijen e rolit të tij shoqëror, dinjitetin e gjuhës, talentin për të prodhuar letërsi, pra shkurt, krenarinë e etnosit.

***

Por, megjithatë, mosnjohja i vë në provë shqiptarët e ngratë: ka apo nuk ka tolerancë fetare në Shqipëri. Historia ka treguar se shqiptarët e fshatrave të varfër nuk i kanë rezistuar dot asnjë ushtrie, sepse me mijëra vjet ata kurrë nuk kanë pasur ushtrinë e tyre që t’i mbrojë nga fetë e ushtrive të tjera. Ata kanë lindur për t’u shërbyer ushtrive dhe feve që kanë kaluar nëpër tokat e tyre. Kësaj radhe, Janullatosi “mjekërbardhë”. Krishterimi ka mijëra vjet që i ka mësuar shqiptarët me rregulla dhe zakonet e veta. Mos kujtoni se të gjithë shqiptarët u bënë të krishterë duke qeshur në këta 2000 vjet? Jo. Me hell dhe me shpatë janë bërë pagëzimet e para. Kisha e Shën Thanasit është vetëm një pikë uji në centrifugën lavazhit të mendjes që u bëhet këtyre fshatarëve të varfër. Pse o shqiptarë e keni kaq të lehtë të mohoni fenë e parë, misionarët e parë të saj? Mohoni për para? Apo nga frika? Mohoni nga padija apo nga varfëria? Sado mund t’i shmangim, se nuk na pëlqen e vërteta, nuk mund të mos u referohemi të huajve kërkues kur shkruajnë në ditarët e tyre se Ju nuk keni besuar kurrë në Zot dhe se atë e keni pranuar si një nënshtrim ndaj perandorive që ju kanë qeverisur. Ju e keni pranuar fenë si një taksë shpirtërore, së cilës mund t’i shmangesh me dredhi dhe se bëheni me fenë e pushtuesit tuaj, sepse ai iu premton ta shisni sho-shoqin e ta tradhtoni vlla- vllaun. Ndaj lëreni Athinën në këmbënguljen e saj. Shihni sa shumë kundërshtime ka vetëm nga brenda vendit. Ky është testi ynë, kjo është prova jonë. Nuk kemi pse e përcjellim përgjegjësinë. Shihni sa urrejtje ka në rrjetet sociale dhe do të bindeni për këtë. Le të funksionojë logjika: kë do të zgjidhte himarjoti 300 vjet më parë: hoxhën, priftin që vinte një herë në vit nga Janina dhe që ishte grek, apo një arbëresh që kishte zgjedhur të rronte si eremit mes njerëzve të së njëjtës gjuhë e të të njëjtit gjak? Askush nuk po kërkon të projektojë uniatizmin për të ardhmen, por të respektohet e shkuara e misionarëve të tij, që në atë kohë ishte faktori më pozitiv për himarjotët. Shqiptarët nuk kanë pse përfshihen në rivalitetin e kishave. Mes një mosmarrëveshjeje “përjetësisht” ndëretnike që shfaqet me egërsi, ndërsa shtetasve të vendit i është njohur e drejta e dallimit racor, etnik, kombëtar, kulturor, gjinor, krahinor apo dhe fetar. Një mosmarrëveshje që shndërrohet gjithëherët në çështje rezolutash, greke e shqiptare, madje dhe europiane; një konflikt që mos o zot, i kthen banorët e Dhërmiut e të Himarës në viktima të manipulimit dhe injorancës: janë të mitë dhe jo të tutë, këta janë të mitë e këta janë të tutë, këtu flitet shqip dhe poshtë Greqia, këtu flitet greqisht dhe poshtë Shqipëria!

Top Channel