FIFA: Shqipëria me De Biasi-n në stol, me sy mbyllur në Euro 2016

27/08/2015 00:00

Paraqitja e Kombëtares shqiptare të futbollit në kualifikueset e “Euro 2016” është padyshim një prej surprizave më të mëdha dhe ky fakt ka bërë që faqja zyrtare e FIFA-s t’i kushtojë një speciale ecurisë së deritanishme të kuqezinjve.

Shqipëria i mbylli kualifikueset e Europianit 2012 në vendin e parafundit në grup, pasi u turpërua nga Luksemburgu duke u mundur 2-1, në shtator të 2011-s, nis artikulli i publikuar në Fifa.com.

Zhgënjimi në ato eliminatore u shndërrua në forcë dhe tre muaj pas asaj ndeshje skuadra i’u besua italianit Gianni De Biasi. Me italianin në stol, e tashmja dhe e ardhmja e Shqipërisë nuk ka qenë asnjëherë më e ndritur. Megjithatë, në intervistën e dhënë për FIFA-n, De Biasi e ka të qartë rrezikun që vjen së bashku me suksesin.

“Aktualisht jemi në pozita fantastike. Jemi krenarë dhe të lumtur për atë që po bëjmë. Por, situata në të cilën ndodhemi do të thotë gjithashtu që duhet të japim më të mirën tonë në të gjitha sfidat”.

Konfederata botërore vlerëson se Shqipëria po shkruan historinë. Pozicioni i 22-të në renditjen e FIFA-s është tregues i qartë. Vendi i tretë në Grupin I, me tre fitore dhe vetëm një barazim kanë rritur euforinë mes tifozëve, për pjesëmarrjen e parë historike në një eveniment madhor. Por, sërish, De Biasi predikon kujdes.

“Praktikojmë një futboll tërheqës dhe rezultatet janë të mira. Nuk mund të jemi më të lumtur se kaq. Kjo që po bëjmë është e jashtëzakonshme, por nuk mund t’ia lejojmë vetes të shpërqendrohemi nga kualifikueset dhe të nisim të mendojmë për fazën finale të Europianit. Rruga drejt Francës ështe e gjatë dhe plot të papritura. Nëse mendojmë se e kemi arritur suksesin do të mposhtnim veten”.

Trajneri kuqezi flet për sfidën e 4 shtatorit në Kopenhagen me Danimarkën dhe zbulon çfarë i pëlqen më tepër te shqiptarët.

“Trasferta në Danimarkë të premten e ardhshme është ndeshja e jetës për Shqipërinë. Ajo që më pëlqen më tepër te ky popull janë krenaria dhe pasioni. Kjo ma vështirëson punën ndonjëherë, pasi më duhet t’i bëj të kuptojnë se ndeshjet duhet të merren me radhë”.

De Biasi thekson se Shqipëria ka prodhuar gjithmonë futbollistë të mëdhenj, duke përmendur emra si Rraklli dhe Tare, por vlerëson skuadrën aktuale, me lojtarë që përveç fantazisë tregojnë grintë në fushë.

“Detyra ime është të gjej taktikat që të marr më të mirën nga lojtarët. Kërkoj gjithmonë balancën e duhur mes fantazisë e disiplinës kolektive dhe tani lojtarët mund ta gjejnë njëri-tjetrin në fushë me sytë mbyllur. Asgjë nuk më jep më tepër kënaqësi”.

Në fund të speciales, FIFA vlerëson se “me një drejtues si italiani në stol, kuqezinjtë mund ta gjejnë me sytë mbyllur edhe rrugën drejt finaleve të Euro 2016.

Top Channel