Përvjetori i “Katrinës”, Obama: Banorët e New Orleansit frymëzuan të gjithë Amerikën

28/08/2015 00:00

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama ka vizituar New Orleansin në 10-vjetorin e stuhisë “Katrina”, e cila vrau rreth 2 mijë vetë, ndërsa një milion të tjerë i detyroi që të zhvendosen.

Sipas tij, populli i New Orleansit është shembull i jashtëzakonshëm i rezistencës dhe rilindjes, duke shtuar se ata kanë frymëzuar të gjithë Amerikën.

“Banorët e New Orleansit nuk më frymëzuan vetëm mua, ata frymëzuan të gjithë Amerikën”, u shpreh Obama para qindra banorëve të mbledhur në një qendër komunitare në “Lower 9th Ward”, që para 10 vitesh ishte 5 metra nën ujë.

Presidenti e pranoi se ka ende lagje që janë shumë të varfra dhe të rinj që marrin rrugën e gabuar, si pasojë e një pabarazie që kishte qenë aty shumë kohë më përpara se të vinte stuhia.

Pavarësisht kësaj, para banorëve të kësaj zone, që banohet kryesisht nga afro-amerikanët, Obama deklaroi se New Orleansi është në rrugën e duhur.

Top Channel