Greqia, zyrtarisht në fushatë zgjedhore. Betohet qeveria teknike në krye të vendit

28/08/2015 00:00

Betimi i qeverisë së re dhe shpërndarja e Parlamentit mesditën e së premtes shënuan edhe fillimin zyrtarisht të fushatës elektorale në Greqi.

Pasi janë betuar nën praninë e Presidentit dhe kryepeshkopit të vendit, 23 anëtarët e kabinetit; me 12 ministra, 9 ministra plotësues dhe 2 zv.ministra; nën drejtimin e gruas së parë kryeministre të vendit kanë zhvilluar mbledhjen e parë të qeverisë, që do të drejtojë Greqinë vetëm për 24 ditë, duke e çuar atë në zgjedhjet e 20 shtatorit.

Midis personaliteteve të njohura të këtij kabineti veçohet ministri i Jashtëm, Petros Muliviatis, nga gjiri i konservatorëve, si dhe ministri i Brendshëm, Antonis Manitakis, nga krahu i majtë, i cili do të ketë edhe detyrën e rëndësishme të organizimit të zgjedhjeve.

Ish-kryeministri Tsipras, pasi ka dorëzuar mandatin kryeministror ka përveshur menjëherë mëngët, për të siguruar unitetin e partisë së tij Syriza, që ka pësuar një përçarje të madhe pas largimit të platformës marksiste nga gjiri i saj, si dhe krijimit të partisë së re “Uniteti Popullor”.

Ndërkohë, analistët vendas dhe të huaj theksojnë se, si asnjëherë tjetër, skena politike greke shfaqet kaq kaotike dhe e shpërbërë, për shkak të zhvillimeve të fundit në vend dhe përballimit të dështuar të krizës ekonomike nga sistemi politik.

Këtëtregon edhe sondazhi i parë zyrtar i “Gazetës së Redaktorëve”, që u publikua mëngjesin e së premtes, ku trupa zgjedhore është e befasuar për zgjedhjet e parakohshme dhe ndodhet në pritje për të dhënë një gjykim më të saktë në orët e fundit. Jo më kot, vendin e parë në këtë sondazh e zë numri i të pavendosurve, me 25,5%.

Me gjithë përçarjen e madhe që pësoi, Syriza përsëri kryeson, duke përqëndruar 23% të votave, por duke shënuar rënie të fuqisë së saj para disa muajsh, ndërsa në vend të dytë ndodhen konservatorët e “Demokracisë së Re” me 19.5%.

Forca e tretë politike vazhdon të mbetet “Agimi i Artë” me 6.5%, ndërsa luftojnë pas neonazistëve me diferenca të vogla: komunistët me 5%, socialistët e PASOK me 4.5%, partia “Lumi” me 4%, “Uniteti Popullor” me 3.5% dhe “Lidhja e Qendrës” me 3%.

Nuk përqëndron deri më tani shifrën prej 3% partia e “Grekëve të Pavarur”, aleate e qeverisë së mëparshme, dhe nëse do të ruhet ky trend, do të ishte një humbje për radikalët e majtë, që duhet të mendojnë se kush duhet të jenë partnerët e tyre të ardhshëm, nëse do të qeverisin sërish vendin.

Karakteristikë kryesore e këtij sondazhi është fakti se, shumica e 1000 personave të intervistuar nuk priste që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme, por nga ana tjetër kërkojnë që me çdo kusht Greqia të mbetet në Eurozonë.

Një imazh më i pastër i votës së grekëve do të jepet në ditët në vazhdim, kur rol të rëndësishëm do të luajë fushata elektorale, strategjia e partive dhe argumentet e çdo force politike, për sa i përket marrëveshjes së re të ndihmës, që shoqërohet me masa të reja kursimi, sidomos për pensionistët, masa që mund të rrëzojnë edhe më shumë përqindjet e radikalëve të majtë.

Por, megjithëse konservatorët shfaqen më me eksperiencë dhe më të bashkuar, tashmë kanë humbur besimin dhe, duke shfrytëzuar këtë avantazh, ish-kryeministri Tsipras u bën thirrje votuesve për të lënë pas të kaluarën dhe për t’u kthyer kurrizin përfundimisht të gjitha partive tradicionale, që sipas tij shkatërruan vendin në 4 dekadat e fundit.

Top Channel